PDK prezanton programin për rimëkëmbje: 1 miliard euro për ekonominë, rritje të pagës minimale e të pensioneve

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Enver Hoxhaj, bashkë me kandidatin për deputet, Bedri Hamzën, sot kanë prezantuar programin qeverisës të PDK-së.

Programi, siç e kanë quajtur ata, për ‘Rimëkëmbje ekonomike’ përmban një fond prej 1 miliard eurosh për ekonominë në krizë, ngritje të pagës minimale deri në 300 euro, si dhe rritje pensionesh deri në 40%.

Gjatë fjalimit të tij, Hoxhaj ka thënë se ekonomia është shtylla e parë e programit të PDK-së për qeverisje dhe programi i Rimëkëmbjes nuk është listë e dëshirave, por program i zotimeve.

“Plani ynë i ka dy pjesë. E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza, dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar.Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur Ekonominë tonë, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm por është edhe projekt afatgjatë. Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë,  lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë. Kjo është çka programi ynë synon. Kështu arrihet Rimëkëmbja”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse Bedri Hamza duke ka thënë se nën qeverisjen e PDK-së, Kosova do të ketë rritje ekonomike 5 deri në 7%, që sipas tij, përmes masave do të mbështeten sektori privat, përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët.

“Programi jonë i Rimëkëmbjes dhe  zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, do të arrijë nje rritje të qëndrueshme ekonomike e cila do të shkoj  prej 5 % deri 7 %, duke u dhënë prioritet investimeve  për shëndetësi, arsim dhe kërkime shkencore, infrastukturë të re, rend dhe ligj duke përfshirë edhe prioritet tjera, që do të sjellin zhvillim ekonomike jo vetëm për vitet 2021 – 2025, por edhe për dekadat e ardhshme”, ka thënë Hamza gjatë fjalimit të tij.