PDK: Ka dyshime që 1,000 testet donacion janë dhuratë nga Rusia për Serbinë

Blerta Deliu-Kodra, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një konferencë për media ka thënë se Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti gjunjëzoi Kosovën para Serbisë me 1,000 testet donacion, që sipas saj, u kontrabanduan në kufi duke u shpërfilluar procedurat ligjore.

Deliu-Kodra po ashtu në këtë konferencë  tha se ka dyshime se 1,000 testet e ardhura nga shteti serb si donacion për Kosovën janë dhuratë nga Rusia për Serbinë.

“Qeveria e shkarkuar Kurti është gjunjëzuar para Serbisë duke dorëzuar një pjesë të sovranitetit në veri të vendit pasi aprovoi në heshtje vendosjen atje të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur prej Beogradit. Pa fijen e turpit, vetëm pasi PDK e denoncoi këtë akt, qeveria mashtroi me vendime pas kohe, kinse për karantinimin e komunave”, ka thënë Deliu-Kodra në konferencë.

Sipas saj, Qeveria i dorëzoi Beogradit autoritetin shtetëror për një pjesë të territorit dhe popullsisë, duke lejuar hyrjen e qindra zyrtarëve të Serbisë, me pretekstin e kujdesit shëndetësor.

“Ky dorëzim ndaj Serbisë u përshkallëzua më tej kur Ministri në ikje i Shëndetësisë, Arben Vitia zgjodhi të bisedojë e bashkëpunojë me ministrin e Serbisë, por jo edhe me atë të Shqipërisë. Kulmi i kësaj sjellje inferiore përkundrejt Serbisë, erdhi me pranimin e 1,000 testeve donacion nga ky vend, duke ia mundësuar Serbisë që të dalë në mediat më prestigjioze të botës si faktor konstruktiv humanitar. Për ta bërë këtë çështje edhe më të rëndë, ka dyshime se këto teste janë dhuratë nga Rusia për Serbinë”, tha Deliu-Kodra.