PDK i kërkoi dorëheqjen, Haskuka fton PDK-në në debat

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar pas kërkesës së degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren për dorëheqje.

Haskuka në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se këto kërkesa të PDK-së janë qesharake dhe se aktakuzat ndaj tre drejtorëve i konsideron politike.

Gjithashtu Haskuka ka ftuar të gjithë akterët relevant për këtë çështje të diskutojnë në një tryezë.

Gjithashtu ai i ka shprehur mirë se ardhje në këtë tryezë edhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Kërkesat e PDK-së si zakonisht janë qesharake. Unë aktakuzat e fundit ndaj drejtorëve i konsideroj si aktakuza politike. Për të sqaruar këtë çështje kam kërkuar nga të gjithë akterët në Prizren që të organizohet një konferencë apo tryezë për të diskutuar temat ndaj sundimit të ligjit dhe bllokimit që i bëhet Komunës së Prizrenit nga ana e institucioneve që në fakt duhet të na asistojnë. Për më shumë, nëse përfaqësuesit e PDK-së janë të gatshëm për debat të tillë me argumente, jam më se i gatshëm që të ballafaqohem”, tha Haskuka.

Sot gjatë ditës, Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren me anë të një njoftimi kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të tanishëm të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.

PDK me anë të njoftimin ka thënë se deri sa ishin në opozitë Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë qenë tepër të zëshme, shumë herë pa vend, për të kritikuar qeverisjen lokale në Prizren dhe kryetarin e atëhershëm, duke kërkuar në vazhdimësi jo vetëm shkarkimin e drejtorëve me aktakuza, por edhe dorëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

“Asokohe, partitë opozitare që tani janë në koalicion qeverisës të udhëhequr nga Vetëvendosje, proklamonin qeverisje me duar të pastra, duke manipuluar opinionin dhe duke premtuar standard qeverisës më të lart, kur ata të vijnë në pushtet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.