Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Pas tentimit të dytë, Komuna Skenderajt bleu autoambulancë dhe furgon për QKMF-në

Komuna e Skenderajt së fundmi ka arritur ta finalizoj aktivitetin e prokurimit me nënshkrim kontrate për blerjen e një autoambulance dhe furgoni për nevoja të QKMF-së. Komuna ka kontraktuar 65 mijë euro për blerjen e këtyre mjeteve të transportit. Blerjen e këtyre mjeteve transportuese e kishte përmendur edhe kryetari komunës Bekim Jashari, gjatë pranimit të një ambulance si donacion nga një mërgimtar.

Më datën 26 të muajit mars 2021, Komuna e Skenderajt publikoi thirrjen për kontratë për t’u furnizuar me autoambulancë dhe furgon për nevoja të QKMF [Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare] në Skenderaj.

Për ta realizuar këtë blerje, komuna ndau 75,000 euro.

Procedura e hapur e prokurimit, ishte lloji i procedurës së përdorur për këtë aktivitet të prokurimit, nga Komuna e Skenderajt, ku si kriter për dhënie të kontratës ishte caktuar çmimi më i ulët.

Por ky tender u anulua, dhe njoftimi për anulimin e këtij aktiviteti u publikua me 12 prill në platformën “e-prokurim”.

“Një shkelje e LPP-se ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit”, thuhet në njoftimin për anulim.

Tentimi i dytë i komunës

Dy muaj më vona nga anulimin i tenderit, Komuna e Skenderajt e ri-tenderoj iniciativën për blerje të autoambulancës dhe furgoni për nevoja të QKMF-së.

Zotimi i mjeteve për të realizuar blerjen ishte i njëjtë me tenderin paraprak. Nëpërmjet platformës elektronike “e-prokurimi”, komuna bëri të ditur se ka përzgjedh kompaninë “D & T Group” SH.P.K. me vlerë të përgjithshme të kontratës 65 mijë euro, ku edhe nënshkroi kontratë me datën 31 gusht 2021.

Në bazë të kontratës që e ka siguruar KALLXO.com, mësohet se blerja e ambulancës komunës do t’i kushtoj 40 mijë euro ndërsa furgoni për hemodializë 25 mijë euro.

Ndryshe, në muajin korrik të vitit të kaluar, mërgimtari Blerim Selimi nga fshati Kuçicë i Komunës së Skenderajt kishte dhuruar donacion një autoambulancë për nevoja të qytetarëve të kësaj komune.

Jo vetëm, sipas faqes zyrtare të komunës, në muajin korrik të sivjetëm, mërgimtari Selimi kishte dhuruar donacioni autoambulancën e 7-të me radhë. Dhe në pranimin e këtij donacioni, kreu komunës Jashari përmendi blerjen e ambulancës dhe furgonin për transportin e pacientëve me dializë.

“Si komunë krahas pranimit të këtyre autoambulancave nga donatorët, jemi në procedurë të blerjes edhe të një autoambulance tjetër si dhe furgonit për nevojat e transportit të pacientëve që janë në hemodializë”, tha Jashari.