Komuna e Prizrenit blen tri autoambulanca për shërbimin emergjent

Shërbimi emergjent në Komunën e Prizrenit është furnizuar me tri autoambulanca të reja, me qëllim të mbulimit të kërkesave të të gjithë qytetarëve të territorit të komunës së Prizrenit.

Vlera totale e blerjes së këtyre autoambulancave është 126,360 euro dhe janë blerë nga Drejtoria e Shëndetësisë.

Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se shërbimi Urgjent i Komunës së Prizrenit tashmë do të jetë shumë më efikas në punën e tij me anë të tri autoambulancave të reja.

Sipas Haskukës, shëndetësia në Prizren ka pasur vështirësi të shumta duke funksionuar vetëm me tri autoambulanca, të cilat kanë qenë me defekte të ndryshme dhe të vjetruara.

“Tani krahas këtyre autoambulancave të reja, do të punojmë edhe në rregullimin e defekteve dhe funksionalizimit të plotë të autoambulancave të vjetra, në mënyrë që t’i kemi në dispozicion që të gjitha autoambulancat në çdo kohë”, ka shkruar Haskuka.