Katër persona të lënduar rëndë pas aksidentit të autoambulancës në Gjakovë

Katër persona janë lënduar rëndë pas aksidentit në mes të një autoambulance dhe një veturë.

Sipas burimeve të KALLXO.com autoambulanca është aksidentuar pasi është thirrur për ndihmë pas vet-aksidentit të veturës.

“Tre persona janë dërguar për në Prishtinë, personi i katërt po ashtu ka mundësi të niset tash, është nga stafi jonë. Dy nga të lënduarit janë pjesë e stafit tonë- mjeku kujdestar dhe shoferi i autoambulancës. Gjithashtu, edhe shoferi i veturës së aksidentuar është dërguar në QKUK”, ka thënë për KALLXO.com, drejtori gjeneral i spitalit, Jeton Zarari.

KALLXO.com raportoi për aksidentin e autoambulancës pak më parë.

Një autoambulancë është aksidentuar me një veturë në lagjen “Dardania” në Gjakovë.

Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime gjashtë persona.  Rasti ka ndodhur rreth orës 12:05.

“Njësitet relevante të policisë dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Rasti është duke vazhduar me hetime”, ka thënë Elezi për KALLXO.com.

Aksidentohet autoambulanca në Gjakovë, lëndohen gjashtë persona