Pas raportimit se voziti pa vendosur rripin e sigurisë, Hysen Durmishi pretendon se nuk ishte duke vozitur por vetëm i ulur në anën e shoferit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë dalë sot ta inspektojnë autostradën Prishtinë – Gjilan.

Aliu e Durmishi publikuan një video nga vetura teksa flisnin për inspektimin që po o bënin. Mirëpo, Durmishi ani pse voziste nuk e kishte vendosur rripin e sigurisë.

Pas raportimit të KALLXO.com, zëvendësministri Durmishi është përpjekur të arsyetohet, duke pretenduar se nuk ka qenë duke vozitur dhe se në vendin ku është bërë videoja nuk ka qarkullim të automjeteve sepse është e mbyllur për komunikacion.

Por në videon që vetë Aliu dhe Durmishi kanë publikuar shihet duke kaluar një automjet. Po ashtu, pamjet e kodrës tregojnë se vetura ka qenë në lëvizje.

Në reagimin e tij në Facebook, Durmishi tutje ka thënë se nuk ka qenë fare duke vozitur por vetëm ka qenë në ulësen e shoferit.

“Video është bërë në punishte pra në vendin ku po zhvillohen punimet në autoudhën Prishtinë – Gjilan dhe aty nuk ka qarkullim të automjeteve sepse është e mbyllur për komunikacion. Unë aty nuk kam qenë duke vozitur por vetëm kam qenë në ulësen e shoferit sa për atë video”- thuhet në sqarimin e Durmishit.

“Nëse konsiderohet që kam shkaktuar ndonjë rrezik në komunikacion jam i gatshëm që të paguaj gjoben”- ka shkruar ai.

Në këtë video të publikuar nga vetë Aliu dhe Durimishi shihet qartë se vetura është në lëvizje.

Hysen Durmishi thyen rregullat e komunikacionit, vozit pa vendosur rripin e sigurisë