Merdare - Ilustrim

Pas më shumë se 10 vjetësh, Kosova me suficit tregtar ndaj Serbisë

 

Për më shumë se dhjetë vjetësh, Kosova është vërshuar nga importi i mallrave nga Serbia. Duke regjistruar kështu deficit tregtar qindra milionësh përderisa eksporti i Kosovës arriti ta mbulonte vetëm 8 përqind të importit nga Serbia. Ndonëse jo me rritje të ekonomisë por përmes tarifës 100 përqind Kosova arriti ta ndalë pothuajse plotësisht duke rezultuar me suficit tregtar ndaj Serbisë.

Në vitin që shkoi, nga shkëmbimin i mallrave të Kosovës me Serbinë, u regjistrua  një suficit tregtar prej 21 milionë e 577 mijë euro. Për dallim nga viti paraprak ku deficiti tregtar ishte rreth -355.4 milionë euro. Kosova për herë të parë regjistroi bilanc pozitiv në raport me fqinjin verior.

Ndonëse jo për nga rritja e aktiviteti ekonomik në vend, mirëpo si rezultat i vendosjes së tarifës 10-të e më pas 100 përqind për mallrat që vijnë nga Serbia, në muajin nëntor të vitit 2018, bëri që të ketë rënie drastike të importit tregtar për dallim nga eksporti që pati një rënie të lehtë duke ndikuar kështu në përmbysjen e rezultatit të deritashëm dhe duke dalë në suficit tregtar.

Përgjatë dhjetë viteve 2010 deri 2019, çdo vit Kosova drejt Serbisë dërgoi mallrat mesatarisht në vlerë rreth 25.1 milionë euro në anën tjetër nga Serbia në Kosovë përgjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare mesatarisht hyrën rreth 306.2 milionë euro mallra. Që i bie se eksporti i Kosovës ka arritur të mbuloj vetëm 8 përqind të importit me Serbinë.

Eksportet e përgjithshme të Kosovës drejt Serbisë përgjatë dhjetë vjetëve të fundit ishin mbi 250.5 milionë euro apo 250 milionë e 591 mijë euro kundrejt importeve që kishin vlerën mbi 3 miliardë euro apo 3 miliardë e 61 milionë e 772 mijë euro.

Ndërsa nga viti 2009 deri 2019 shkëmbimi tregtar Kosovë-Serbi, regjistron eksporte të përgjithshme mbi 254 milionë euro apo 254 milionë e 95 mijë euro. Ndërsa  importet e përgjithshme ishin: mbi 3.2 miliardë euro apo 3 miliardë e 272 milionë 905 mijë euro.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga viti 2010 e këndej, vlera më e ulët e mallrave të eksportuara është regjistruar në vitin 2010 në vlerë prej 3.9 milionë euro ndërsa vlera më e lartë e eksporteve është regjistruar në vitin 2017 me mbi 48.2 milionë euro.

Ndërsa sa i përket importit, vlera më e ulët e mallrave të importuara është regjistruar në vitin që lamë pas, vitin 2019, me një vlerë rreth 5.8 milionë euro ndërsa më së shumti mallra në Kosovë erdhën në vitin 2017 në vlerë prej 449.9 milionë euro.

Në vitin 2019, Kosova eksportoi më shumë gypa, tuba dhe profilet e shtrira, pajisje për gypa ose tuba, pastaj rrymë elektrike, pllaka, fletë, film, peta dhe rripa, prej plastike dhe produkte të tjera në vlerë më të vogël.

Ndërsa nga importi i pakët që pati në vitin 2019, më shumë u importuan produkte medicinale dhe farmaceutike, medikamente (përfshirë ilaçet veterinare), rrymë elektrike, pije joalkoolike të pa s.d.t dhe produkte tjera me vlera më të vogla. Ajo çka vërehet nga të dhënat e ASK-së sipas produkteve të shkëmbyera është se për dallim  nga viti 2018 ku u importua rrymë elektrike nga Serbia në vlerë mbi 25.7 milionë euro në vitin 2019 kishte vetëm 334 mijë euro nga ky lloj importi ndërsa importi I pijeve jo alkoolike nga 36.9 milionë euro pësoi rënie në 177 mijë euro.