Takimi i kryeministrit Kurti dhe rektorit të UP-së Qerim Qerimi, Foto: ZKM

Para shënimit të 54-vjetorit të UP-së, Kurti e Nagavci takojnë rektorin Qerimi

Pothuajse një javë ditë para shënimit të 54-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, kryeministri i vendit Albin Kurti, është takuar me rektorin e UP-së, Qerim Qerimi.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Sipas Kryeministrisë, në këtë takim është folur për arritjet dhe dhe sfidat me të cilat përballet UP-ja. Si dhe së fundi, për miratimin e draft statutit të UP-së nga Senati i UP-së dhe Qeveria e Kosovës.

“Rektori Qerimi e njoftoi kryeministrin Kurti se me draft statutin e ri për Universitetin, përveçse dokument i rëndësishëm për institucionin, ai synon të sjellë ndryshime të nevojshme në ngritjen e standardeve të institucionit në tërësi, jo vetëm në vend por edhe më gjerë. Ndryshimi i këtij statuti, i cili tani është për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vjen pas plot 11 vitesh” – kanë njoftuar nga kryeministria.

Në mbledhjen e 45-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, më 31 korrik ishte votuar statuti i ri i Universitetit të Prishtinës, me 20 vota për, 3 abstenime dhe asnjë kundër.

Ky statut është votuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 12 tetor 2023, ndërsa pritet të votohet edhe nga Kuvendi.

Gjithashtu, rektori Qerimi e ka falenderuar kryeministrin Kurti për bursat e ofruara nga Qeveria në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM), për vajza, e të cilat ai i ka cilësuar si investim i kthyeshëm për vendin.

Kurse, Kurti thuhet se i ka shprehur përkrahjen e plotë të Qeverisë drejt fuqizimit të UP-së.

“Kryeministri Kurti e falënderoi rektorin Qerimi për kontributin e tij drejt përmirësimit të cilësisë në arsimin e lartë, e kësisoj edhe zhvillimit të shoqërisë në shtetin tonë. Ai gjithashtu shprehu përkrahjen e plotë të Qeverisë drejt avancimit dhe fuqizimit të Universitetit të Prishtinës” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Përgjatë këtij takimi është potencuar edhe nevoja për angazhim shtesë rreth çështjes së profileve deficitare.