Pamjet ekskluzive të arratisjes nga Policia e të dyshuarit për fajde Driton Podrimqaku

Një rast i cili fillimisht u raportua në KALLXO.com ndërsa pastaj u bart në Prokurorinë Themelore në Pejë rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar, Driton Podrimqakut.

KALLXO.com kishte kërkuar nga qytetari nga Peja, i cili kishte raportuar rastin, që të intervistohej edhe nga Prokuroria në mënyrë që të hetohej rasti i fajdesë, kamatën e së cilës qytetari nuk mund ta kthente për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Prokurori Ersan Qavolli, i cili kishte marrë për ta trajtuar rastin, ka treguar në detaje hetimin ndërsa në rast u përdorën edhe masat e fshehta për të zbuluar nëse pretendimet e qytetarit se ishte viktimë e fajdesë ishin të vërteta.

Pas mbledhjes së të gjitha dëshmive, sigurimin e vendit të ngjarjes, ku qytetari do të simulonte dhënien e kamatës ndaj Driton Podrimqakut, prokurori Qavolli së bashku me ekipin e KALLXO.com ishin nisur për të shikuar nga afër se cilat do të ishin veprimet e të dyshuarit.

Pasi ishin dorëzuar paratë te Driton Podrimqaku nga ana e viktimës së fajdesë, i njëjti ishte larguar nga vendi ku ishte kryer takimi dhe me një vozitje të rrezikshme është arratisur nga vendi i ngjarjes.

I njëjti madje kishte rrezikuar edhe jetën e një zyrtari policor pasi ky i fundit kishte tentuar të ndalonte arratisjen e Podrimqakut dhe i njëjti e e kishe sulmuar me veturë.

Menjëherë pas këtij veprimi të Podrimqakut, prokurori ndërmori masa urgjente.

Me urdhër të prokurorit Ersan Qavolli ishte vendosur që të bllokoheshin të gjitha rrugët e Pejës në mënyrë që të kapet dhe arrestohet i dyshuari i cili tani më ishte person me rrezikshmëri të lartë.

Përveç veprimeve ku rrezikoi jetën e zyrtarëve policorë, i njëjti dyshohej se ishte i armatosur pasi që në data bazën e policisë figuronte se posedonte disa armë me leje.

“Jemi duke shkuar në bastisje në shtëpinë e të pandehurit dhe po ashtu janë urdhëruar Policia e Kosovës që të pandehurin ta fusin në stop -listë dhe t’i bllokohen daljet jashtë Republikës së Kosovës, deri në arrestimin e tij. I njëjti është duke u kërkuar në të gjitha anët, ka shumë patrulla policore gjithashtu edhe policia po shkon në vendin e ngjarjes apo në shtëpinë e të dyshuarit”, thotë prokurori Qavolli.

Ai madje shtoi edhe se do të bëjnë përpjekje që të sigurojnë prova për veprën që dyshohet Driton Podrimqaku.

“Në shtëpinë e tij do të bëjmë përpjekje që të sigurojmë prova  të tjera materiale që do ta aprovonin përtej çdo dyshimi kryerjen e veprës penale të fajdesë”, tregon prokurori Qavolli.

Një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com dy javë më parë se ishte viktimë e fajdesë që kishte marrë nga tashmë i arrestuari Driton Podrimqaku.

Ky i fundit i kishte dhënë fajde qytetarit një shumë prej 10 mijë eurosh ndërsa kamata mujore do të ishte 1 mijë euro shtesë. Për çdo vonesë kamata do të shtohej ndërsa qytetari pretendon se nga dhjetori nuk ka arritur që të siguroj paratë e kamatës pasi që nuk ka kushte ekonomike.

Madje qytetari tregoi në një intervistë për KALLXO.com se si shuma e kamatës që do të duhej t’i kthente Podrimqakut u rrit deri rreth 60 mijë euro e madje i dyshuari i kërkonte edhe para shtesë kinse për një shok të tijin prej ku i kishte marrë paratë që t’ia jepte me fajde pejanit.