Raportimin e viktimës së fajdesë KALLXO.com e dërgoi në Prokurori në Pejë

Një qytetar nga Peja kishte raportuar në KALLXO.com se ishte viktimë e fajdesë.

Një fajde, kamata e të cilës u rrit me kalimin e kohës, u bë problematikë e madhe për qytetarin i cili nuk dinte se si t’i gjente paratë.

Pasi i njëjti kishte kontaktuar me KALLXO.com dhe pas rrëfimit të tij, të gjitha deklaratat e tij ishin bartur në Prokurorinë e Pejës.

Prokurori i cili mori rastin, Ersan Qavolli, kishte kërkuar nga ana e ekipit të KALLXO.com që viktimën e fajdesë ta dërgonin në Prokurori për intervistim.

“Unë jam ardhë këtu se jam hy në fajde. Vlera është e rritur tanimë deri në 60 mijë euro, mos koftë ma shumë. Nuk kam pasur rrugëdalje tjetër, vetëm këtë rrugë e kam këqyr. Deri në dhjetor kam pagu, prej dhjetorit nuk kam pasur mundësi me pagu më. Për shkak që gjendjen ekonomike e kam shumë të keqe, punë nuk kam, kurrgjë nuk është tu funksionu më dhe nuk kam pasur mundësi me pagu”, ishin përgjigjet e viktimës në pyetjet e prokurorit Qavolli, i cili menjëherë pasi kishte marrë informacionet nga KALLXO.com kishte kërkuar ta intervistojë të njëjtin.

“Kamata është rritur çdo herë e ma shumë. Është rritë sepse nuk kam arritur me e përmbush marrëveshjen ashtu siç ka qenë e paraparë”, ishin arsyet e qytetarit nga Peja që i  deklaroi para prokurorit.

Pas intervistimit të viktimës brenda ambienteve të Prokurorisë së Pejës, prokurori Ersan Qavolli menjëherë kishte filluar ta trajtojë rastin ndërsa ishte marrë edhe leja që të zbatoheshin masat e fshehta për shkak se viktima po atë ditë do të takohej me personin që kishte marrë fajde.

“Rastin që e kemi pranuar nga ju KALLXO.com, jemi duke e trajtuar dhe jemi duke e hetuar ku edhe kemi kërkuar edhe masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit , prandaj sot jemi këtu duke shkuar edhe në vendin e ngjarjes”, tregon prokurori Ersan Qavolli.

Ai tregon se cilat masa i ka ndërmarrë ai pas intervistimit të viktimës.

“Tash për momentin jemi duke shkuar në operacion dhe plani kryesor është që ta analizojmë fillimisht zbatimin e masës së vlerës së simuluar dhe më pas në qoftë se e njëjta rezulton pozitive atëherë i pandehuri do të arrestohet si dhe do të shikohet edhe mundësia e urdhër kontrollit nga ana e gjyqtarit për të bastisur shtëpinë dhe objektet e tij përcjellëse”, tregon prokurori Qavolli vijueshmërinë e rastit.

Tutje prokurori tregoi se si u sigurua qytetari.

“Fillimisht është analizuar çështja e sigurisë së personit i cili do të bëjë dorëzimin e të hollave. Të hollat do të dërgohen nga pala ankuese apo i dëmtuari që është paraqitur në Prokurorinë në Pejë”, vazhdon prokurori Qavolli.

Prokurori Qavolli kërkoi nga qytetarët që për raste të ngjashme viktimat e fajdeve të lajmërojnë rastet në autoritetet kosovare pasi të gjitha këto raste do të trajtohen me seriozitet të madh.

Një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com dy javë më parë se ishte viktimë e fajdesë që kishte marrë nga tashmë i arrestuari Driton Podrimqaku.

Ky i fundit i kishte dhënë fajde qytetarit një shumë prej 10 mijë eurosh ndërsa kamata mujore do të ishte 1 mijë euro shtesë. Për çdo vonesë kamata do të shtohej ndërsa qytetari pretendon se nga dhjetori nuk ka arritur që të siguroj paratë e kamatës pasi që nuk ka kushte ekonomike.

Madje qytetari tregoi në një intervistë për KALLXO.com se si shuma e kamatës që do të duhej t’i kthente Podrimqakut u rrit deri rreth 60 mijë euro e madje i dyshuari i kërkonte edhe para shtesë kinse për një shok të tijin prej ku i kishte marrë paratë që t’ia jepte me fajde pejanit.