Bastisja në shtëpinë e të dyshuarit për fajde- Pamje ekskluzive

Driton Podrimqaku javën e kaluar u bë person i kërkuar nga ana e Prokurorisë e Policisë në Pejë.

Kjo pasi që i njëjti konsiderohej me rrezikshmëri të lartë, ishte i armatosur e madje edhe kishte sulmuar një zyrtar policor gjatë arratisjes.

Deri te arrestimi i Driton Podrimqakut erdhi një raportim fillimisht në KALLXO.com ndërsa më pas u bart për trajtim hetimor në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Prokurori i cili pranoi rastin Ersan Qavolli kishte kërkuar nga ekipi i KALLXO.com që viktimën e fajdesë e cila kishte raportuar, ta dërgonte në Prokurori për intervistim e më pas të zhvilloheshin edhe masat e tjera siç ishte vëzhgimi dhe simulimi i veprës.

Qytetari nga Peja kishte raportuar se ishte viktimë e fajdesë, kamata e së cilës ishte rritur në 60 mijë euro, nga 10 mijë sa kishte pranuar nga ana e Driton Podrimqakut në fillim.

Rritja e kamatës u bë për shkak se qytetari rrëfeu se nuk kishte mundësi që të paguante shumat e mëdha që i kishte thënë Podrimqaku.

Nga muaji në muaj sa ishte dhënia e kamatës, qytetari rrëfeu se Driton Podrimqaku e kishte detyruar t’i jepte edhe nga 500 euro shtesë kinse për një person tjetër nga i cili kishte huazuar paratë e fajdesë.

Pasi ishin zbatuar masat e fshehta me vendim të gjykatës në Pejë dhe Driton Podrimqaku i kishte pranuar paratë nga viktima, i njëjti me një vozitje të rrezikshme kishte sulmuar njërin nga zyrtarët policor i cili po tentonte të pengonte arratisjen.

Po ashtu Driton Podrimqaku ishte shpallur person në kërkim dhe fotografia e tij u shpërnda në mënyrë që kushdo që kishte informacione se ku gjendej i dyshuari, qytetarët të lajmëronin organet e rendit.

Bllokimi i të gjitha rrugëve të daljeve në Pejë, pas futjes në listën e kërkimit të Driton Podrimqakut, prokuroria kishte kërkuar edhe bastisjen e shtëpisë së të njëjtit.

Me këtë veprim, prokurori Ersan Qavolli pretendonte të  siguronte prova të tjera të cilat do të vërtetonin kryerjen e veprës penale të fajdesë nga ana e Podrimqakut.

“Jemi duke shkuar në bastisje në shtëpinë e të pandehurit dhe po ashtu janë urdhëruar Policia e Kosovës që të pandehurin ta fusin në stop -listë dhe t’i bllokohen daljet jashtë Republikës së Kosovës, deri në arrestimin e tij. I njëjti është duke u kërkuar në të gjitha anët, ka shumë patrulla policore gjithashtu edhe policia po shkon në vendin e ngjarjes apo në shtëpinë e të dyshuarit”, thotë prokurori Qavolli.

Edhe pse policia po e kërkonte, Podrimqaku nuk gjendej askund. Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një mori provash që do të përdoreshin në rastin e të njëjtit.

Një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com dy javë më parë se ishte viktimë e fajdesë që kishte marrë nga tashmë i arrestuari Driton Podrimqaku.

Ky i fundit i kishte dhënë fajde qytetarit një shumë prej 10 mijë eurosh ndërsa kamata mujore do të ishte 1 mijë euro shtesë. Për çdo vonesë kamata do të shtohej ndërsa qytetari pretendon se nga dhjetori nuk ka arritur që të siguroj paratë e kamatës pasi që nuk ka kushte ekonomike.

Madje qytetari tregoi në një intervistë për KALLXO.com se si shuma e kamatës që do të duhej t’i kthente Podrimqakut u rrit deri rreth 60 mijë euro e madje i dyshuari i kërkonte edhe para shtesë kinse për një shok të tijin prej ku i kishte marrë paratë që t’ia jepte me fajde pejanit.

Arrestimi i Driton Podrimqakut, Foto: KALLXO.com

I dyshuari pas disa ditësh ishte vetë- dorëzuar në polici ndërsa i njëjti po dyshohej tashmë për dy vepra penale, fajde dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Kallxo Përnime transmetoi edhe pamje ekskluzive të paraqitjes së të dyshuarit në seancën para gjyqtarit të procedurës penale ku ishte kërkuar masa e paraburgimit për 30 ditë nga ana e prokurorisë në Pejë, duke theksuar se ekzistonte rreziku i arratisjes e madje Driton Podrimqaku po konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.