Pamje të tmerrshme nga Gjilani, Spitali i mbytur në bërllok (VIDEO)

Në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19 dhe spitalet janë të mbushura me pacientë, në Gjilan korridoret e spitalit të qytetit janë të mbushura me bërllok.

Një qytetar ka dërguar në KALLXO.com fotografi dhe video nga spitali i qytetit të Gjilanit, ku korridoret janë të mbushura me qesë të bërllokut.

Nuk dihet nëse në atë qese ka edhe mbetje spitalore.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Spitalit, Nysret Hajrullahu, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Siç merr vesh KALLXO.com, kjo situatë është paraqitur edhe gjatë ditës së djeshme edhe sot, për shkak se punëtorët e higjienës së spitaleve janë futur në grevë.

Punëtorët e higjienës janë futur në grevë edhe në spitale të tjera. Ata po kërkojnë që të paguhen me shtesa dhe të përfshihen brenda Ligjit për COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar për grevën e punëtorëve të higjienës së spitalit të Gjakovës.

Vazhdon greva e punëtorëve të higjienës në Spitalin e Gjakovës