Pamje të arrestimeve e gazit lotsjellës në koncertin e Bregoviqit në Korçë

Mbrëmë këngëtari serb Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës në Korçë ku u hodh gaz lotsjellës nga një person që u arrestua në mëngjesin e sotëm.

Policia e Shtetit ka arrestuar një 21 vjeçar për hedhjen e produkteve lotsjellëse në Festën e Birrës në Korçë. Sipas njoftimit të policisë, kjo hedhje e këtyre produkteve nuk ka ndikuar as në mbarëvajtjen e koncertit e as në pjesëmarrjen e publikut.

Më datë 22.08.2021, gjatë Festës së Birrës, 21-vjeçari Redon Leka, ka hedhur kapsolla lakrimogjene, me qëllim cenimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet, por menjëherë u kap nga shërbimet e policisë duke bërë që ky veprim të mos cenonte mbarëvajtjen e aktivitetit i cili u mbyll sipas programit. Gjithashtu nuk influencoi as në pjesëmarrjen e publikut”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por, ndonëse u hodh produkt lotsjellës, nuk u ndalua koncerti.

Koncerti filloi me këngën “Kosovska” ndërsa përfundoi me këngën “Kallashnikov” që thuhet se kjo këngë frymëzoi ushtarët serbë për të kryer krime.

Ndërsa kënga “Kosovska”, me të cilën e filloi koncertin e kënduar në gjuhën shqipe supozohet se është arsyeja e shpartallimit të grupit “Bijelio Dugme”.

Ish-anëtari i këtij grupi, Zeljko Bebek kishte thënë për gazetën ‘Nedeljnik’ se arsyeja pse është ndarë ‘Bijelio Dugme’ është se Bregoviq kishte filluar ta politizoj grupin.

“Ndryshimi në Bijelio Dugme ndodhi në momentin kur Goran Bregoviq shkroi këngën në gjuhën shqipe. Teksti, që ishte shumë i bukur, e të cilin e kanë shkruar pionierët e teatrit shqiptar të Shkupit, ishte një hap revolucionar, por unë nuk isha ky. Atëherë i thashë Goranit: “Tash ia dole, kjo nuk kalon te unë” kishte thënë ish-anëtari i grupit “Bijelio Dugme, Zeljko Bebek”.

Koncertin e ndoqën një numër i madh turistësh nga shumë vende, ndërsa kishte të tillë që kishin udhëtuar enkas për koncertin e Bregoviq.

Edhe pse kishte reagime të shumta kundër koncertit të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviq në Korçë, Bashkia e Korçës nuk e anuloi pjesëmarrjen e tij.

Për KALLXO.com, Benila Terova , zëvendëskryetare e Bashkisë në Korçë kishte thënë se Bashkia e Korçës refozon të përfshihet në debate të tilla.

“Pjesëmarrja në Korçë është pjesë e turit ndërkombëtar të këtij artisti të madh ballkanik të përmasave ndërkombëtare”, tha ajo.

“Bashkia e Korçës REFUZON të përfshihet në një debat që tenton të POLITIZOJË Festën e Birrës. Festa jonë është e te gjithë shqiptarëve e me gjerë. Ne kemi synuar ta ndërkombetarizojmë nga viti në vit festën me muzikantë e vizitorë nga çdo cep i Ballkanit dhe Europës”, tha Terova.

Në prill 2006 Bregoviq ka mbajtur dy koncerte të mëdha në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe është vlerësuar me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Bashkisë të asaj kohe Edi Rama.

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri ka mohuar se ka organizuar gjuajtjen e gazit lotsjellës në koncertin mbrëmshëm në Korçë ku këndonte Goran Bregoviç.

Përmes një reagimi në Facebook, VV në Shqipëri ka thënë se qëndrimet e tyre janë publike për këngëtarin i cili këndoi në festën e parvjetshme të birrës në Shqipëri.

Ky është postimi i plotë:

Sqarim për opinionin publik

Marrë parasysh “lajmet” që po qarkullojnë në disa portale lidhur me gazin lotsjellës të hedhur mbrëmë në koncertin e Goran Bregoviçit në Korçë, sqarojmë për opinionin publik se kjo nuk është organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Qëndrimet tona për këtë koncert dhe për këngëtarin në fjalë janë bërë publike në aksionin me banderolë të organizuar në Korçë në datën 19 gusht 2021.

Mbrëmë, disa persona kanë gjuajtur gaz lotsjellës në koncertin ku këndonte këngëtari serb, Bregoviq.