Vetura e Policisë së Kosovës e sulmuar me armë zjarri.
Pamje nga sulmi ndaj policisë në veri (FOTO)
RTV Dukagjini ka siguruar pamje të veturës së sulmuar të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Në mëngjesin e së martës është raportuar se Policia e Kosovës është sulmuar në veri të vendit, përkatësisht në Zubin Potok.
RTV Dukagjini, ka siguruar pamje të veturës së policisë e cila është sulmuar me armë zjarri.
Në vendin e ngjarjes ka dalë mënjëherë Njësia Speciale Operative.
Sipas RTV Dukagjinit, autoblindat e vendosura në vendin e ngjarjes tashmë janë duke u larguar.
Rruga drejt vendit të sulmit deri në në këto momente ishte e bllokuar. Kjo për shkak se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe hetuesit ishin duke i hetuar rrethanat e sulmit.
Ndërkaq, vetura e policisë e cila ishte sulmuar ende gjendet në të njëjtin vend.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për RTV Dukagjinin se nga sulmi me armë zjarri drejt njësitit kufitar nuk ka mbetur asnjë i lënduar.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka njoftuar Kelani.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.
Sulmi i sotëm është i gjashti ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit./ PortaliD