Matthew Palmer - Foto: REL/Reuters

Palmer takoi Mustafën e Haradinajn e Veselin

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, sot do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë.

RTV21 raporton se Palmer sot më mëngjes është takuar me krerët e partive politike në Kosovë. Fillimishtu u takua me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, pastaj edhe me atë të AAK-së, Ramush Haradinaj në Ambasadën Amerikane. Edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka arritur në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë ku pritet të takohet me Palmer-in.

Ndërkohë është bërë e ditur se Palmer s’do të ketë takim me kreun e VV-së, Albin Kurtin, pasi që ky i fundit ndodhet jashtë vendit. Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer gjatë ditës do të flasë para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Pas fjalimit, ai do të përgjigjet në pyetjet nga ky publik, njofton Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Po ashtu, Palmer pritet që sot nga ora 13:30 do të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, rRaporton TV21.