Pagesat nga 'Pakoja Emergjente' në dorën e deputetëve

Me datën 13 korrik është miratuar në lexim të parë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Sipas Ministrisë së Financave, pasi të miratohet për herën e dytë dhe përfundimtare në Kuvend ky Projektligj, atëherë do të hapet rruga për pagesat e Pakos Emergjente të Qeverisë.

Kjo Pako ishte miratuar në muajin mars të këtij viti, nga Qeveria Kurti në atë kohë dhe vlera totale e kap shifrën e 180 milionë eurove dhe kishte për qëllim t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, të prekur nga pandemia COVID-19.

Një pjesë e kësaj Pako është shpërndarë, ndërsa tash pas rreth 4 muajve shumica e punëtorëve dhe bizneseve nuk i kanë marrë paratë e premtuara nga shteti.

“Ministria e Financave njofton opinionin se menjëherë pas miratimit të projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga pakoja emergjente fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, ditën kur u miratua projektligji në Kuvend, me 13 korrik.

Në këtë Pako Emergjente, parashihej që të përfitonin përfituesit e skemave sociale, bizneset private si kafenetë, ndërmarrjet e vogla e të mesme, stafi mjekësor, policia, zjarrëfikësit, marketet, furrat, barnatoret, kompanitë vetëprodhuese, komunat, komunitetet pakicë, sektori i bujqësisë dhe sporti e kultura.

Cilat kategori përfitojnë nga pako emergjente e Qeverisë?