Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pacolli thotë se për 37 minuta s'iu lejua të aterrojë në Aeroportin e Prishtinës, Autoriteti i Aviacionit Civil po heton rastin

Kryetari i partisë politike “Aleanca Kosova e Re”, Behgjet Pacolli ka deklaruar se më 13.06.2024, aeroplanit me të cilën udhëtonte ai me disa persona tjerë nuk i është dhënë leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (CAA) për aterrim për 37 minuta në Aeroportin e Prishtinës.

Ndërkaq, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se janë duke e hetuar rastin.

Sipas Pacollit në aeroplan ishin shtatë pasagjerë të cilët, siç thotë ai kanë përjetuar vështirësi për shkak të turbulencave të mëdha në territorin e pritjes për aterrim.

Ai ka thënë se operatori amerikan  ka leje të përhershme për aterrim në Prishtinë.

“Dje pasdite, autoritetet e aviacionit civil të Kosovës na lanë në ajër (jo edhe mbi territorin e Kosovës), për 37 minuta. Askush nga ne nuk e di arsyen,  por një gjë është e sigurt;  Operatori amerikan  ka leje të përhershme për aterrim në Prishtinë. Janë përfillur të gjitha veprimet e parapara me rregullat e fluturimit. Aeroporti i Prishtinës na informoi se nuk ka pasur asnjë pengesë për aterrim. Në aeroplan kanë qenë 7 pasagjerë të cilët kanë përjetuar vështirësi për shkak të turbulencave të mëdha në territorin e pritjes për aterrim”- ka shkruar Pacolli në reagimin e tij në Facebook.

Pacolli ka thënë se pret të informohet për rastin, pasi, siç ka pohuar ai, ka ardhur nga vullneti i individëve të papërgjegjshëm që keqpërdorin detyrat e tyre zyrtare.

Ndërkaq, në një prononcim për KALLXO.com, Burim Dinarama uushtrues i detyrës së drejtorit të CAA-së, ka thënë se shërbimet e aviacionit civil janë duke hetuar pretendimet e Pacollit.

“Rasti është duke u hetuar, dhe përderisa është në hetim nuk mund të japim me shumë informacion”- ka thënë Dinarama.

Dinarama tha se rasti po hetohet nga shërbimet relevante të navigimit ajror.