Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

OVL e UÇK paralajmëron protesta

Ushtrues i detyrës i kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur sot në një konferencë për media se do të organizojnë protestë në lidhje me situtatën politike në vend.

Klinaku ka shtuar se për datën se kur do të mbahet protesta pritet të vendoset ditëve në vijim, pasi të mblidhet Këshilli Drejtues.

“Ne po ashtu vendosëm të organizojmë protestë, për datën ju informojmë me kohë, por mund të konfirmoj që edhe nesër e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtees, ku do të diskutohet për protestën nesër”, tha Klinaku.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi sot janë nisur nga Aeroporti e Prishtinës për të shkuar në Hagë, pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.