Osmani: Vrasja e Liridonës duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes sonë kolektive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se fuqizimi i grave në jetën publike e politike dhe puna e tyre në interes të vendit ka bërë që të ketë më shumë sulme dhe se lufta ndaj tyre ashpërsohet për shkak të angazhimit të tyre në problemet e shoqërisë.

Teksa ka folur për vrasjen e Liridona Ademajt, Osmani theksoi se kjo që ka ndodhur duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes kolektive dhe se dhuna nuk duhet të normalizohet.

“Ajo çka ndodhi para disa ditësh me rastin e vrasjes së Liridonës, që ndodhi përgjatë 16 ditëve të aktivizmit njësoj siç ka ndodhur vitin e kaluar që kishim vrasje përgjatë 16 ditëve të aktivizmit, duhet të jetë edhe një herë zgjim i ndërgjegjes sonë kolektive sepse për fat të keq, ajo çfarë po ndodh me vite me radhë është që po normalizohet dhuna dhe këtë duhet ta luftojmë me ngulm, kjo është sfidë e gjithë shoqërisë”- tha Osmani.

“Është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë mos të jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit, sepse dhunuesi do të mendojë: “Në qoftë se ai para meje ka ikur nga përgjegjësia me nja 600-800 euro, pse mos ta përdor edhe unë dhunën”, sepse lehtë e kanë të tillët të paguajnë këtë gjobë”- theksoi ajo.

Më tej, presidentja ka folur edhe për shembujt më të mirë që ekzistojnë në botë e që sipas saj kanë funksionuar deri sot sa i përket luftimit të dezinformimit mbi baza gjinore.

“Meqenëse lufta në raport me përfaqësimin e grave në çdo profesion dhe fushë të jetës është duke u ashpërsuar, kjo do të thotë që edhe ne duhet të rrisim nivelin e kundërpërgjigjes, pra duhet patjetër të marrim shembujt më të mirë që ekzistojnë në botë e që kanë funksionuar deri sot sa i përket luftimit të dezinformimit mbi baza gjinore dhe ka shembuj të tillë”- u shpreh Osmani.

“Duhet të sigurohemi ashtu siç kemi punuar me ministren e Drejtësisë, të ashpërsohen dënimet për ata që kryejnë dhunë mbi baza gjinore, dhe këtu po flas për të gjitha llojet e dhunës jo vetëm atë fizike. Duhet të sigurohemi që të punojmë bashkë, nënkupton gratë së bashku, gratë  në përkrahje të njëra-tjetrës dhe natyrisht që sa më shumë burra kampionë që e kuptojnë që nga barazia gjinore përfitojnë njëlloj, përfiton shoqëria e shteti, aq më mirë do të jetë për ta shtyrë përpara këtë kauzë”- shpjegoi ajo.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar, në mesin e tyre edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve

www.kallxo.com