Osmani takon ambasadorin amerikan, flasin për dialogun dhe draft-statutin e Asociacionit

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa presidentja ka deklaruar në takim se propozimi për draft-statutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

“Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”- thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje thuhet se Osmani ka nënvizuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

Ata kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Osmani të hënën është pyetur nëse plani për Asociacionin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo kishte thënë se vlerësimi i kushtetutshmërisë do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese, nëse këtij draft-statuti i paraprin nënshkrimi apo miratimi.

“Më 21 tetor është dorëzuar një plan i ri nga ana e të dërguarve të posaçëm të BE-së dhe SHBA-së, aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë të atij drafti do ta bëjë Gjykata e Kushtetutës e Kosovës kështu që nuk do ngutesha ta shpallë, është detyrë e Gjykatës dhe është institucioni që e bën atë vlerësim nëse i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft statuti”- ka thënë ajo.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.