Osmani takohet me presidentin finlandez: Do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin tonë euro-atlantik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin për Paqen në Ukrainë, është takuar me homologun e saj nga Finlanda, Aleksandër Stubb.

Osmani ka shkruar se vlerëson mbështetjen e presidentit Stubbit për Kosovën.

“Një mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i Republikës së Kosovës, me të cilin do të punojmë ngushtë për ta avancuar tutje partneritetin tonë me Finlandën si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik” – shkroi mes tjerash Osmani më 17.06.2024.

Osmani mori pjesë në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të ndryshme.
Ky Samit u mbajt më 15 dhe 16 qershor 2024, i cili mblodhi liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

Osmani gjatë fjalimit të saj në këtë samit tha se “kjo luftë në Ukrainë nuk është veç lufta e Ukrainës, por betejë e përbashkët”.

Presidentja shtoi se bota duhet të qëndroj me Ukrainën ashtu siç ishte me Kosovën para 25 vjetëve.