Osmani: Qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatët tanë polakë dhe të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve se raketat ruse kanë kaluar në Poloni duke lënë dy persona të vdekur.

Osmani ka thënë se Kosova solidarizohet plotësisht me aleatët polakë dhe të NATO-s pas sulmit të natës së sotme.

Sipas saj, uniteti i botës demokratike kundër luftës brutale të Vladimir Putinit në Ukrainë mbetet i palëkundur.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatët tanë polakë dhe të NATO-s pas sulmit të natës së sotme dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave. Uniteti i botës demokratike kundër luftës brutale të Putinit në Ukrainë mbetet i palëkundur”- ka shkruar Osmani në Twitter.

 

Pas raportimeve se raketat ruse kanë kaluar në Poloni duke lënë dy persona të vdekur, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka ngushëlluar Poloninë për të vrarët teksa ka thënë se bashkohet me botën demokratike në dënimin e krimeve të luftës të Rusisë.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane tha se raketat ruse, që sulmuan Ukrainën, kaluan edhe në Poloni dhe vranë dy persona, ka raportuar AP.

Polonia është shtet anëtar i NATO-s.

Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë mohoi se raketat e saj ranë në Poloni, duke i quajtur raportimet një “provokim të qëllimshëm”, raporton The Guardian.