Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani për draft-statutin e Asociacionit: Nuk do të ngutesha të bëja vlerësime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur nëse plani për Asociacionin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Osmani ka thënë se vlerësimi i kushtetutshmërisë do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese, nëse këtij draft-statuti i paraprin nënshkrimi apo miratimi.

“Më 21 tetor është dorëzuar një plan i ri nga ana e të dërguarve të posaçëm të BE-së dhe SHBA-së, aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë të atij drafti do ta bëjë Gjykata e Kushtetutës e Kosovës kështu që nuk do ngutesha ta shpallë, është detyrë e Gjykatës dhe është institucioni që e bën atë vlerësim nëse i paraprin akti i nënshkrimit apo miratimit të atij draft statuti”- ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se e ka lexuar me vëmendje këtë draft statut por, se vlerësimet do ti jap me shkrim në qoftë se ka proces të nënshkrimit.

“Natyrisht që e kam lexuar, e analizuar me vëmendje të thellë, gjerë e gjatë mirëpo vlerësimet e mia do i jap me shkrim në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Kur të shkon për vlerësim në Kushtetuese do jap komentet me shkrim se cilat pjesë e vlerësoj si presidente qe duhet të sqarohen. Nuk do të ngutesha të beje vlerësime për përputhshmërinë përderisa është detyrë e Gjykatës Kushtetuese”- ka thënë ajo.

Ajo ka thanë se Kosova ka treguar gatishmëri që ta zbatojë marrëveshjen në tërësinë e saj.

“Nëse zbatohet në tërësi, dërgon tek njohja ‘de facto’ dhe kjo hap rrugë për më shumë paqe e stabilitet dhe na drejton tek njohja ‘de jure’. Është e rëndësishme të kërkojmë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”- është shprehur Osmani.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.