Opozita ia kërkon 'strategjinë' për dialogun, Bislimi: S'ia humbi vetes propabilitetin në proces duke dalë me tupan me folë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se nuk mund të prezantojë strategjinë e qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij një gjë e tillë nuk mund të prezantohet.

Këtë deklaratë ai e dha gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.

“Sa më shumë monitorim edhe Qeveria ka me pas rezultat me të mirë, por detyrë e opozitës nuk është për me shtrembëru të vërtetën. Pritjet e juaja nga qeveria, tejkalon pritjet e deputetëve të pozitës. Nuk e prezantojmë strategjinë për dialogun se nuk prezantohet. Nuk ia humbi vetes propabilitetin në dialog, tu dalë me tupan me folë për dialog”, ka thënë Bislimi.

Për çështjen e liberalizimit të vizave, Bislimi tha se është krijuar një “pritje artificiale” në muajin qershor.

“Për liberalizmin e vizave është krijuar një pritje artificiale në muajin qershor. Me liberizimin mendoj qe jemi mirë, pajtohem që kriteret janë plotësu qysh më 2018. Kur të kemi lajme të mira në tavolinë, do t’i themi. Sa më shumë debatojmë këtë temë, mendoj qe e dëmtojmë procesin”, tha Bislimi.

Ai mes tjerash ka deklaruar se Qeveria në 12 muajt e fundit ka miratuar 119 projektligje.

Sipas Bislimit, në vitin 2008 numri i projektligjeve të miratuara ka qenë 89, më së shumti ndonjëherë.

“Siç e dini, Qeveria në 12 muajt e fundit ka miratuar 119 projektligje. Në vitin 2008 ka qenë 89, më së shumti ndonjëherë. Në mesin e dokumenteve, ka edhe Strategji si ajo e sundimit të ligjit, të migrimit, kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri ka përmendur luftimin e krimit dhe korrupsionit për të ciliin ka thënë se përmendet në raporte ndërkombëtare por jo nga opozita.

“Te kriteret tjera politike kisha përmend luftimin e krimit dhe korrupsionit, që përmendet në raportet ndërkombëtare por asnjëherë nga partitë opozitare”, u shpreh Bislimi.

Ai ka thënë se deri më tani janë zbatuar nje e treta e reformave.

Ndërkaq deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Qeveria ka sjellë një agjendë legjislative me 188 projektligje por që sipas saj gjatë vitit 2021 është realizuar vetëm rreth 19% e saj.

“Në raport me punën që jeni tu bo, as gjumin nuk po mundeni me bo. Ju jeni partia që as Marrëveshjen e Stabilizim-asociimit nuk e keni nënshkruar. Ju e keni sjellë një agjendë legjislative me 188 projektligje. Nëse e shohim statistikat, gjatë 2021 keni realizu vetëm 18.9% të agjendës legjislative”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka përmendur edhe deklaratën e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, për të cilën Deliu-Kodra e ka pyetur zëvendëskryeministrin se nëse bie ndesh me agjendën integruese në BE.

“A mjafton qe një deputete që përfaqëson grupin parlamentar të juajin , të deklarohet në raport me censurën dhe kontrollin e mediave që u tha në seancën e fundit plenare për një Kosovë që aspiron integrimin evropian. A bie ndesh me agjendën integruese për tu përafruar me BE-në?”, ka deklaruar Deliu Kodra.

“Njëjte shfaqje të pesimizmit keni pasur te projektligjet që keni sjellur, po i referohem Byrosë dhe vetingut. A mjafton qe vetem ti sjellni në Kuvend? Para se ta sulmoni opoziten, ktheni pak kokën te vetja. Mos na folni si para studentëve. Konsideroni që jemi përfraqësues të qytetarëve të Kosovës. Kërkojmë korrektësi në lidhje me agjendën integruese”, shtoi ajo.