Nxënës të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë – Foto: KALLXO.com

Nxënësve u mungojnë tekstet edhe në gjysmëvjetorin e dytë, MAShT nuk di gjë

Librat shkollorë nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën u janë premtuar falas nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), por, megjithatë, gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/2020 ka filluar me mungesë të teksteve shkollore.

Lidhur me mungesën e librave shkollorë, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoritë e Arsimit të shtatë rajoneve të vendit dhe MAShT-in.

Sipas Afrim Llabjanit, drejtor i Arsimit në Ferizaj, Komisioni i Teksteve Shkollore është arsyetuar se paratë të cilat kanë qenë të parapare për libra janë shpenzuar dhe nuk ka buxhet për rifurnizim.

“Nga Ministria e Arsimit nuk na kanë ardhur librat të cilët na kanë munguar prej fillimit”, ka thënë Llabjani.

Ndërsa sipas Komunës së Gjakovës dhe Komunës së Mitrovicës kërkesa për rifurnizim është dërguar me kohë në MAShT.

“MAShT-i  nuk e ka bërë rifurnizimin me tekste shkollore në shkollat të cilat kemi pasur mungesë edhe pse kemi bërë kërkesën me kohë. Në këtë vit nuk do të pajisen me tekste shtese”, ka treguar për KALLXO.com Donika Grezda, zyrtare për informim në Komunën e Gjakovës.

Zyra për Informim në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se janë në pritje të teksteve që mungojnë.

“Jemi në pritje. I kemi adresuar kërkesat në vazhdimësi…”, janë përgjigjur Zyra për Informim.

Ndërsa, Shpresa Shala, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës thotë se prindërit i kanë blerë librat që u kanë munguar fëmijëve të tyre.

“MAShT nuk ka bërë rifurnizim me libra për nxënësit. Shkollat kanë bërë shkëmbim të librave në mes shkollave, aty ku nuk ka pasur prindërit i kanë blerë”, ka thënë Shpresa Shala.

Edhe Drejtoritë e Arsimit në Komunën e Prizrenit dhe Pejës kanë konfirmuar mungesën e teksteve shkollore dhe ende nuk e dinë nëse do të pajisen deri në përfundim të vitit shkollor.

”Ministria e Arsimit për gjysmëvjetorin  e parë  nuk ka bërë rifurnizim me tekste shkollore. Nuk kemi informata nëse do të ripajisemi me tekste shkollore, përkatësisht do të rifurnizohemi në gjysmëvjetorin e dytë”, ka thënë Xhemile Vezgishi, drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prizrenit.

“Sa i kam informatat sipas komisionit të gjitha tekstet që kanë ardhë me kërkesën që i kanë bërë shkollat i kanë marrë nxënësit e shkollave të Pejës, me mungesën e atyre teksteve që Ministria nuk i ka botu”, ka konfirmuar Besim Avdimetaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës.

Sipas Naim Gagicës, drejtorit të Arsimit, Komuna e Gjilanit qëndron më mirë sa i përket këtij problemi.

”Në bazë të informatave të siguruara nga zyrtari i nivelit të mesëm të ulët, në komunën e Gjilanit gjendja ka qenë e mirë sa i përket furnizimit me tekste shkollore”, ka shpjeguar Gagica.

Ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit të gjitha shkollat janë pajisur me tekste shkollore dhe ata nuk kanë informacion që ekzistojnë mungesa të tilla.

“Të gjitha shënimet që ne i kemi marrë prej drejtorive komunale të Arsimit dhe ata i kanë marrë prej shkollave ne i kemi pajisur me tekste shkollore”, ka thënë Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar.

KALLXO.com kishte raportuar edhe në nëntor dhe shtator të vitit të kaluar për mungesën e furnizimit me tekste shkollore nga ana e MAShT si dhe disa nga to kishin gabime.

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT-it çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.