Shkollat e Kosovës furnizohen me vonesë me tekstet shkollore

Edhe pse viti i ri shkollor 2019/20 ka filluar javën e kaluar, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ua ka siguruar të gjitha librat shkollave tek këtë javë.

Shumica e drejtorëve të arsimit në komuna të ndryshme kanë treguar për KALLXO.com se janë furnizuar me tekstet shkollore me vonesë.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se të gjitha shkollat janë furnizuar me tekste por ka disa mungesa të vogla.

“Te gjitha shkollat janë të furnizuara me libra në bazë të listës së librave, e cila ka qenë e kontraktuar nga MAShT. Shkollat janë furnizuar me libra para fillimit të vitit shkollor. Për disa mungesa të vogla që janë në pak shkolla nga ana e Drejtorisë se Arsimit është bërë kërkesë në MAShT për furnizim plotësues”, tha ajo për KALLXO.com.

Edhe drejtori i Arsimit të omunës së Lipjanit, Rasim Hasani tha për KALLXO.com se disa tekste u kanë shkuar këtë të hënë.

“Tekstet shkollore në herën e parë kanë ardhur shumica, ndërsa të hënën ka ardhur pjesa tjetër që kanë munguar dhe jemi duke i shpërndarë tani ato.  Ende ne jemi në proces të shpërndarjes që kanë ardhur më vonë”, tha Hasani për KALLXO.com

Ndërsa drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Iset Beka, tha se ende kanë probleme me disa tekste.

“Ne jemi furnizuar me disa por ende ka mungesë të disave”, tha Beka për KALLXO.com.

Edhe drejtori i Arsimit në Deçan, Bekim Vishaj thotë se nuk janë dorëzuar me kohë të gjitha librat shkollorë.

“Nuk jemi furnizuar me të gjitha tekstet me kohë, më së fundi kanë ardhur të hënën disa, por e shoh që ka mungesa të disave ende”, tha ai.

Kurse kolegu i tij nga Gjakova, Bernard Frrokaj, tha se ende nuk janë furnizuar me të gjitha.

“Të gjitha nivelet janë furnizuar me libra, por aty-këtu ka mungesa. Disa i kemi marrë kur ka filluar mësimi, disa gjatë kësaj jave si plotësim”, tha Frrokaj për KALLXO.com

Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani tha se kanë ardhur me vonesë të gjitha tekstet.

“Në komunën tonë tek të martën, më 10.09.2019, rreth orës 15:00 ka arritur kontingjenti i fundit i librave të cilat do të shpërndahen” tha Namani.

Por, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha për KALLXO.com se tekstet në këtë qytet kanë shkuar me kohë.

“Të gjitha shkollat në komunën tonë janë furnizuar me tekste shkollore. Tekstet janë sjellë me kohë, janë siguruar ashtu siç e kemi planifikuar dhe të gjitha janë shpërndarë nëpër shkolla në kohën e duhur”, tha Llabjani.

Edhe në Pejë, drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, tha se janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore.

“Po, janë furnizuar të gjitha shkollat e Komunës së Pejës Javën e kaluar nga data 02.09.2019 deri më 06.09.2019 “, tha Avdimetaj.

Drejtori i Arsimit në Istog, Hajrush Shoshi tha se janë siguruar me kohë librat shkollorë.

“Po. Të gjitha shkollat janë furnizuar me tekste shkollore, sipas kërkesave që i kemi dërguar në MAShT. Janë siguruar me kohë, para fillimit të vitit shkollor 2019/2020 dhe janë shpërndarë me kohë”, tha ai.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Gagica tha shkurt për KALLXO.com se janë furnizuar me të gjitha librat.

Agim Spahiu nga Komuna e Obiliqit tha po ashtu se janë furnizuar me tekste shkollore, por nuk ka treguar se kur është bërë plotësimi i tyre.

“Të gjitha shkollat janë furnizuar me tekste shkollore para fillimit të vitit shkollor 2019/20, me të gjitha tekstet që shtëpitë botuese i kanë pasur”, tha Spahiu.

Edhe drejtoresha e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi Vezgishi tha për KALLXO.com se janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Komunën e Klinës, Kamenicës dhe Hani i Elezit porse deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Po ashtu KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të marrë sqarime rreth kësaj çështjeje, por se nuk ka pranuar përgjigje.

Në lidhje me furnizimin me vonesë me tekste shkollore, eksperti i arsimit, Rinor Qehaja tha se kjo është dështim në menaxhim të procesit të vlerësimit të teksteve shkollore dhe kjo, sipas tij, pashmangshëm që ka rezultuar me cilësi jo të mirë të teksteve të reja. “Në fakt, ky dështim konteston edhe ligjërisht tekstet e miratuara për botim”, tha ai.

“Ajo çfarë kemi ngritur si shqetësim muaj më parë për cilësi të dobët të teksteve shkollore është duke u dëshmuar nga vet komuniteti i mësimdhënësve dhe kushdo tjetër i përfshirë në arsimin parauniversitar në vend.  MAShT duhet të japë përgjegjësi për dështim në sigurim të cilësisë së teksteve të reja shkollore, është e patolerueshme që edhe me tekste të reja shkollore të kemi mospërputhje me kurrikulë. Shpresoj dhe besoj shumë në një reagim të të gjithë hisedarëve në arsimin parauniversitar kundrejt improvizimeve dhe papërgjegjësisë si kjo me botim të teksteve të reja shkollore”, tha Qehaja për KALLXO.com.

Tekstet e reja shkollore janë përpiluar këtë vit dhe nga ky vit shkollor fëmijët do të mësojnë me to. Në qershor ishte publikuar lista përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët kanë përgatitur tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11. Sipas kësaj liste librat e nxënësve janë përgatitur nga shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Në lidhje me këto tekste, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë, pasi, sipas tyre, ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

KALLXO.com kishte raportuar se në tekstin e ri të klasës së gjashtë të Gjuhës Shqipe, përrallës së “Kësulëkuqes” i është ngatërruar personazhi kryesor i tregimit.

‘Kësulëkuqja’ bëhet ‘Borëbardha’ në tekstin e ri të Gjuhës Shqipe

.