Nuk pranon fajësinë Drejtori i Prokurimit në ZKM, akuzohet për mos-raportim të pasurisë

Drejtori i prokurimit në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Isa Hajdari nuk ka pranuar fajësinë për veprën penale “mos raportim apo raportim i rrem i pasurisë”.

“Unë jam absolutisht i pafajshëm”- ishin fjalët e Hajdarit pasi i’u lexua aktakuza nga ana e prokurores së shtetit, Rukie Sheshivari e cila përfaqëson këtë rast.

Edhe avokati Isa Hajdarit, Muhamet Durmishi tha se mbetet pranë deklarimit të të mbrojturit të tij.

“Pas konsultimit me palën e akuzuar, në këtë fazë të procedurës nuk e pranojmë fajësinë dhe mbesim pranë deklarimit të tij se është i pafajshëm”- tha Durmishi.

Në këto rrethana Gjyqtari, Eroll Gashi njoftoi palët se kanë afat 30 ditë që të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat e paraqitura në aktakuzë si dhe të kërkohet hudhja e aktakuzës.

Sipas aktakuzës Isa Hajdari si person zyrtar dhe atë Drejtor i zyrës së Prokurimit në zyrën e Kryeministrit të Kosovës, nuk i ka deklaruar fare të hyrat nga biznesi i tij “Alfa Globe”, SH.P.K.

Sipas aktakuzës, mos deklarimi i pasurisë ka të bëjë me periudhën kohore 1 janar 2020 deri me 31 dhjetor 2020.

Këto deklarime i njëjti sipas aktakuzës ishte dashur ti bëjë nga 1 marsi deri me 31 mars 2021, gjë që nuk e kishte bërë.

Kështu, i njëjti sipas prokurorisë në Prishtinë ka konsumuar elementet e veprës penale “mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.