Gjyqtari demanton mediat, mohon se ka urdhëruar arrestimin e Xhelal Sveçlës

Një numër i madh i mediave kanë raportuar sot se Gjykata Themelore e Prishtinës ka urdhëruar policinë që ta sjellë me forcë në seancë gjyqësore Ministrin e Punëve të Brendëshme Xhelal Sveçlën.

Sipas raportimeve Sveçla nuk është paraqitur në seancë  gjyqësore dhe gjykatësi ka urdhëruar arrestimin e tij.

Mirëpo lajmi është demantuar nga gjykatësit i kësaj lënde Eroll Gashi.

Ai në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se raportimi është gabim

“Nuk është lëshu urdhëresë , gabim është ajo” ka thënë gjykatësi Gashi.

Ai ka sqaruar se në seancën e sotme ai ka konstatuar në procesverbal që personat mungojnë dhe nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre. Sipas gjykatësit pasi është konstatuar kjo gjykata ka kërkuar që të verifikohen adresat e tyre dhe të ridërgohen ftesat edhe një herë.

Gjykatësi ka sqaruar se ka thënë në seancë që në rast se në seancën e radhës të pandehurit nuk paraqiten në sallën e gjyqit atëherë ai do obligohet të lëshoj urdhërin për sjelljen e tyre me forcë.

Mirëpo edhe këtë veprim gjykatësi ka thënë se do e marrë vetëm pasi ti analizoj të dhënat që mund ti dërgojnë palët.

“Nëse bijnë arysetime që nuk kanë mundur me u parqit, janë me COVID-19 ose diçka edhe ajo e arsyeton faktin mos me lëshu urdhërsë, përndryshe deri në momentin kur do të caktojë seancën, nëse nuk paraqiten arsyetimet për mos prezencë në seancë, do të lëshojë urdhëresën për sjellje me detyrim”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Rasti i cili është duke u gjykuar tek gjykatësi gashi ka të bëjë me protestën e qershorit 2013 ku Xhelal Sveçla  Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj akuzohen se gjuajtën me gurë shishe qelqi e mjete të forta në drejtim të policisë.