Shtyhet përsëri seanca gjyqësore për gazin lotsjellës

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarave Haxhi Shala dhe Ismaijl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ka dështuar përsëri.

Arsyeja e dështimit ishte mungesa e mbrojtëses së të akuzuarit Ismajl Kurteshi, avokates Teuta Zhinipotoku.

Për mungesën e avokates, gjyqtari i rastit Eroll Gashi, e pyeti të akuzuarin Ismajl Kurteshi nëse i njëjti ishte i gatshëm të vazhdonte pa mbrojtës, mirëpo ai u deklarua se do të ishte mirë që në seancë të përfaqësohej nga avokatja e tij.

Prokurori i Shtetit Menduhi Kastrati, nuk e kundërshtoi deklarimin e të akuzuarit, e kundërshtim nuk pati as nga palët e tjera të pranishme në shqyrtim.

Prandaj në mungesë të kushteve për vazhdim të seancës, u caktua që e radhës të mbahet më 24 shtator.

Në këtë seancë munguan edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, Kuvendit të Kosovës dhe Policisë të Kosovës, ndonëse gjyqtari deklaroi se të njëjtit ishin ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata.

Kjo nuk është hera e parë që të njëjtit nuk paraqiten në shqyrtim gjyqësor.

https://kallxo.com/ligji/gjykimi-ndaj-haxhi-shales-dhe-ismajl-kurteshit-per-hedhje-te-gazit-lotsjelles/

Sipas aktakuzës, të pandehurit Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, më datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

E këtë thuhet se e kanë bërë, në atë mënyrë që po sa ka filluar seanca dhe derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të pandehurit në vendin ku ishin të ulur kanë aktivizuar gazin lotsjellës me të cilin kanë pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë secili veç e veç, sipas Prokurorisë, kanë kryer veprën penale, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri Haxhi Shala më datë 17 nëntor 2015, rreth orës 11:40 në momentin kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajli, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha dhe Faik Krasniqi kanë tentuar që ta shoqërojnë në polici Albin Kurtin, ai me deputetët të tjerë e ka pamundësuar shoqërimin e tij.

Me këtë veprim, sipas Prokurorisë Haxhi Shala në vazhdimësi ka kryer veprën penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Aktakuza përshkruan se edhe Ismajl Kurteshi i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në atë mënyrë që, në momentin kur ka filluar seanca plenare në Sallën Plenare, Kurteshi me qëllim që ta pengojë mbajtjen e asaj seance, ka hedhur gazin lotsjellës me çka ka pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë edhe Ismajl Kurteshin, Prokuroria e akuzon për kryerjen e veprës penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ismajl Kurteshi ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, ndërsa nga data 14 dhjetor 2015 kjo masë i është shndërruar në masën e paraburgimit deri më 30 dhjetor 2015.

Ndërsa Haxhi Shala ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, deri me 30 dhjetor 2015.