Nuk i deklaroi 60 mijë euro kur hyri nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Reagim të Shpejtë-Departamenti i Policisë Kufitare , gjatë një kontrolli në magjistralen Bërnjak-Zubin Potok, afër stacionit të Policisë për mbikëqyrjen e kufirit Zubin Potok, ka ndaluar një veturë të tipit BMW, me targa vendore, e cila dyshohet se ka hyrë nga Serbia në Kosovë dhe te vozitësi gjeti 60 mijë euro.

Policia në një komunikatë thekson se me rastin e kontrollit të vozitësit ka identifikuar dhe gjetur nën pantallona në pjesë të ndjeshme të trupit të tij dhe në xhep një sasi të konsiderueshme të parave.

Pasi që personi i dyshuar nuk kishte arritur të ofrojë mbulesë me dokumente për paratë qe i ka poseduar me vete, i njëjti është dërguar në stacionin policor në Zubin Potok për procedura tjera.

Gjithashtu, Policia shton se janë njoftuar edhe njësitet kompetente për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga niveli rajonal dhe qendror për t’u marrë me rastin dhe pas numërimit të parave rezulton që shuma e parave të jetë 60 mijë euro.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe për procedura të mëtejme ligjore është iniciuar rasti – shpëlarja e parave, thekson Policia.