Nuk arrihet dakordim në mes OVL UÇK-së dhe Kurtit, do të vazhdojnë protestat

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Faton Klinaku, pas takimit më shumë se 2-orësh me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ka treguar se nuk është arritur dakordim në mes dy palëve.

Klinaku tregoi se Kurti i ka thënë se do t’ia dërgojë palës protestuese një propozim me shkrim.

Për këtë, udhëheqësi i OVL UÇK-së tha se do e presin propozimin, mirëpo edhe në momentin kur do të mbahet seanca për leximin e dytë për projektligjin për pagën minimale, veteranët prapë do të dalin në protesta.

“Me kryeministrin nuk u dakorduam sepse në kërkuam që të kthehet pika 3.1 që është ndryshu nga Qeveri me Kuvendin e Kosovës që me atë pikë e kanë largu benificionin e veteranit të luftës që me ligj nuk mund të jetë më pak se paga minimale. Ai tha se do të na propozojë diçka me shkrim, e presim se çka do të na propozojë por qëndrimi jonë mbetet vetëm me pikën 3.1 që është shkelje ligjore”, tha Klinaku.

Ai tutje shtoi se “ditën kur do ta thërrasin seancën për lexim të dytë të projektligjit për paga, ne i treguam edhe në zyrë se do të jemi në protesta”.

Madje ai tha se nëse kërkesa e tyre nuk realizohet, veteranët do të jetë në protestë çdo ditë.

Klinaku tha se arsyetimi i Kurtit ka qenë lista e numrit të madh të veteranëve.

“Kjo nuk është çështje e tij, është çështje e gjykatës dhe ne e kemi dërgu këtë çështje në gjykatë dhe duhet të pritet procesi gjyqësor”, tha Klinaku.

Madje, ky i fundit këtë arsyetim e cilësoi si të pa bazë.

Tutje, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se vendimi i marrë nga ana e qeverisjes është i jashtëligjshëm.

“Ne i treguam që kanë bërë shkelje ligjore dhe kërkesa jonë ishte që të kthehen në ligjin bazik. Ne jemi këtu dhe do të kundërshtojmë fuqishëm deri në realizimin e kërkesës tonë, të drejtës tonë”, tha ai.

Tutje Jashari tregoi se për këtë pretendim për shkelje ligjore do të drejtohet edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

“Ne e presim përgjigjen dhe propozimin me shkrim, por në ishim aty për t’i thënë aty sy më sy ministrit dhe kryeministrit se kanë bërë shkelje ligjore dhe ne do t’i përdorim metodat demokratike madje do të kërkojmë që të shkojë për interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese sepse ka shkelje ligjore”, tha Jashari.

Ai po ashtu ka thënë se çdo protestë që do të thirret nga ana e tyre do të jetë paqësore.

Edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka thënë se janë të gatshëm për protesta.

Ai tha se takimi me të parin e vendit ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm.

“Rrjedhja e bisedimeve ishte goxha e mundimshëm dhe goxha e gjatë, megjithatë nuk arritëm në një mirëkuptim nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të Financave, kështu që presim reflektim dhe dërgimin me shkrim se çka do ndryshojnë ata. Në do të vazhdojmë me protesta në ditët kur do të jetë leximi i dytë i projektligjit”, tha Shurdhaj.

Ky takim është thirrur dje nga Kurti pas një proteste të veteranëve disaorëshe pranë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë takim, Kurti kishte njoftuar dje nga salla e Kuvendit të Kosovës se do të anulojë pjesëmarrjen në forumin e Prespës dhe së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe kryesuesin e Komisionit për Buxhet, Armend Muja dhe do t’i takojnë me udhëheqësit e OVL-UÇK-së.

Pas kësaj, një nga këshilltaret e Kurtit, kishte dalë në oborrin e Kuvendit ku ia kishte dorëzuar ftesën UD Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

Protesta e djeshme ishte paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.

Përfundon takimi më shumë se 2-orësh i udhëheqësve të OVL UÇK-së me Kurtin