Foto: KALLXO.com

Njëvjetori i tensioneve në Zveçan, LVV: Republika nuk pezullohet

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, ka kujtuar tensionet e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kjo parti ka krahasuar situatën e tashme me situatën që mbizotëronte në këtë zonë para një viti.

LVV ka përkujtuar se sot [29.05.2024] bëhen një vit prej kur grupet kriminale të organizuara dhe dirigjuara nga Serbia, me qëllim moslejimin e ushtrimit të detyrës zyrtare të katër kryetarëve në veri sulmuan Policinë e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët e pranishëm.

“Një vit pas, Komuna e Zveçanit funksionon, me kryetar, me stemën e flamurin e Republikës së Kosovës” – ka shkruan Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo parti ka shtuar se në Zveçan, para objektit të komunës, më 29 maj 2023 janë plagosur mbi 90 ushtarë të KFOR-it, prej tyre dhjetëra me pasoja të përhershme.

Insistimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, sipas LVV-së ka bërë që atje të jetë pamja krejt ndryshe sot.

“Nuk ka tjetër alternativë pos zbatimit të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe kësisoj ruajtjes së sovranitetit e integritetit territorial të Republikës së Kosovës” – thuhet në reagim.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot kërkoi që faktet në këtë ngjarje të vërtetohen dhe autorët të mbahen përgjegjës.

Protestuesit serbë në Zveçan gjatë protestave të dhunshme lënduan 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës, e disa prej tyre mbetën edhe me lëndime të rënda.

“Këto sulme ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme” – thotë KFOR, më 29.05.2024.

Për sulmin ndaj ushtarëve foli edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas.

“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën në vijën e tyre për të kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të misionit tonë në OKB” – tha komandanti.

“Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës” – u shpreh tutje ai.

Pas dhunës së 29.05.2023, NATO ka dislokuar rreth 1 mijë trupa paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

KFOR tha se kanë rritur qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe ka trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative.

Një vit nga tensionet në veri, KFOR kërkon të mbahen përgjegjës sulmuesit ndaj tyre