Foto: Top Channel

Nis stërvitja ushtarake e NATO-s në Portin e Durrësit, pjesëmarrëse edhe FSK

Në Portin e Durrësit në Shqipëri sot ka nisur stërvitja ushtarake “Defender Europe 2021”, në kuadër të Aleancës Veriatlantike (NATO).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se në këtë organizim do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të ShBA-ve me ushtritë partnere të NATO-s.

“Nis në Portin e Durrësit stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi”, ka shkruar Rama në Facebook.

Në lidhje me këtë ngjarje është deklaruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se në këtë organizim po merr pjesë edhe njësia e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Ka nisur në Durrës stërvitja e madhe “Defender Europe 21”. Ka shumë arsye që të jemi krenarë sot. E arsyeja më e madhe është pjesëmarrja për herë të parë e Ushtrisë sonë në një operacion të përmasave të tilla. Njësia e FSK-së që po merr pjesë, do të certifikohet për kapacitetet aktuale operacionale. Urime NATO, Urime Shqipëri, Urime Kosovë! Urime Ushtria e Kosovës! Krenar me ju!”, thuhet në publikimin e Haradinajt në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.