Festivali 'Banff Kosovo 2020'. Foto: Facebook/Kino Armata

Nis sot në Kino ARMATA festivali i filmit për kulturën malore

Festivali i filmit të malit, “Banff Kosovo 2020” nis sot në ora 19:00 në Kino ARMATA në Prishtinë. Gjatë këtij festival i cili mbahet  për dy ditë, më 7 dhe 8 tetor 2020, do të shfaqen 16 filma që për temë kanë kulturën malore, sportet dhe mjedisin.

Kino ARMATA, përmes një njoftimi në Facebook bën të ditur se “Banff Kosovo” synon të promovojë kulturën dhe sportet malore në Kosovë përmes filmit dhe aktiviteteve shtesë, por edhe të ndikojë pozitivisht në vetëdijesim rreth mjedisit, natyrës dhe aktiviteteve në natyrë.

“Festivali i filmit të malit, ‘Banff Kosovo 2020’ do të shfaqë 16 filma në dy net, më 7 dhe 8 tetor 2020, në Kino ARMATA. Filmat përfaqësojnë një sërë stilesh dhe temash, duke përfshirë ngjitje malore, skijim, kërcim BASE, snowboard, çiklizëm malorë, kajak, aventurë, kulturë dhe mjedis”, thuhet në njoftimin e Kino ARMATA-s në Facebook.

Festivali “Banff Center Film Festival” është festival ndërkombëtar kanadez i filmit dhe prezantim vjetor i filmave të shkurtër dhe dokumentarëve rreth kulturës malore, sporteve dhe mjedisit.

“Festivali është mbajtur për herë të parë në vitin 1976 dhe mbahet çdo vit në Banff, Alberta, Kanadë.  Këtë vit, për herë të parë, kemi nderin të organizojmë festivalin e parë të ‘Banff Mountain Film Festival World Tour’ në Prishtinë, Kosovë”, thuhet në njoftimin e Kino Armata-s.