Seanca në rastin "Veteranët"

Nis seanca për “Veteranët”, njëri i akuzuar i kyqur në Zoom

Në Gjykatën e Prishtinës ka nisur seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast akuzohen për keqpërdorim detyre ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

I akuzuari Fadil Shurdhaj seancën gjyqësore është duke e përcjellë  në mënyrë virtuale përmes platformës Zoom, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

I njëjti Gjykatën e ka njoftuar se ka qenë i prekur me COVID-19. Megjithëse me datën 3 tetor ka rezultuar negativ, mirëpo i njëjti ka thënë se edhe dy javë i duhet të qëndrojë në shtëpi.

Në seancën e sotme pritet  që të akuzuarit ta japin mbrojtjen e tyre.

Kujtojmë se dje seanca gjyqësore kishte dështuar të mbahet në mungesë të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, i cili ishte në mbledhje në Kuvendin e Kosovës.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator të vitit  2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike bën të dështojë seanca për “Veteranët”