Pamje nga bregdeti shqiptar

Ngrohja Globale: Paneli i Kombeve te bashkuara jep sinjale alarmante për “Planetin e Kaltër”

Ngrohja globale po shkatërron detet dhe regjionet me akullnaja si asnjëherë më parë, kështu thotë një raport i lartë i Kombeve të Bashkuara.

Sipas një paneli të shkencëtarëve të Kombeve të Bashkuara, niveli i ujerave është në rritje, akullnajat janë duke u shkrirë me shpejtësi dhe gjallesa të ndryshme po ndryshojnë vendbanimin për shkak të aktiviteteve të njerëzve, raporton BBC.

Shkrirja e sipërfaqeve që duhet të qëndronin të ngrira përgjithmonë paraqet kërcënim lëshimin e karbonit. Ekziston ende shpresë që pasojat më tragjike mund të evitohen përmes ndalimit të menjëhershme të ndotjes nga karboni.

Ky është raporti i tretë me radhë i prodhuar nga një panel ndër-qeveritar në 12 muajt e fundit lidhur me Ngrohjen Globale. Shkencëtarët paraprakisht kanë hulumtuar se si do të reagonte planeti nëse temperaturat rriten për 1.5 gradë celzius në fund të këtij shekulli.

Atëherë, çfarë kanë gjetur dhe sa e keqe është?

Me pak fjalë, ujërat po bëhen më të ngrohta, akullnajat nëpër botë po shkrihen me shpejtësi dhe këto kanë ndikim negativ për pothuajse çdo gjallesë në planet. Ujërat kanë thithur më shumë se 90% të nxehtësisë shtesë të krijuar nga njerëzit gjatë dekadave të kaluara dhe shkalla me të cilën ato marrin këtë nxehtësi është dyfishuar që nga viti 1993. Energjia e lartë bën që molekulat e ujit të lëvizin më shumë, duke bërë që ata të uzurpojnë më shumë hapësira.

Paneli ndër-qeveritar për ngrohjen globale thotë se niveli i rritjes së ujit tani po shkaktohet kryesisht nga shkrirja e Grenlandës dhe Antarktidës. Falë ngrohjes, humbja e masave të akullit (që i referohet sasisë së akullit që shkrihet dhe humbet si ujë i lëngshëm) nga pllaka e akullit të Antarktikut në vitet ndërmjet 2007 dhe 2016 u trefishua në krahasim me 10 vitet e mëparshme.

Grenlanda pati një dyfishim të humbjes së akullnajave gjatë së njëjtës periudhë. Sipas këtij raporti pritet që ky trend negativ të vazhdojë gjatë gjithë shekullit 21 dhe më gjerë.

Për akullnajat në zona si Andet tropikale, Evropë Qendrore dhe Azi Veriore, parashikimet janë se ato do të humbasin 80% të akullit të tyre deri në vitin 2100 nën një skenar të lartë të emetimeve të karbonit. Kjo do të sjellë pasoja të mëdha për miliona njerëz.

Cilat janë pasojat e gjithë këtij akulli të shkrirë?

I gjithë ky ujë shtesë që shkon drejt deteve po rrit nivelet mesatare të ujit të oqeanit nëpër botë. Kjo do të vazhdojë gjatë dekadave të ardhshme.

Ky raport thotë se nivelet mesatare globale të detit mund të rriten deri në 1.1 metra deri në vitin 2100, në skenarin më të keq të ndryshimeve klimatike. Kjo është një rritje prej 10 cm më shumë nga parashikimet e mëparshme të Panelit  për shkak të humbjeve të mëdha të akujve që tani po ndodhin në Antarktidë. Dr Jean-Pierre Gattuso, nga CNRS, agjencia kombëtare e shkencës e Francës thotë se kjo rritje e nivelit të ujit në dete do të ketë pasoja të mëdha për brigjet e ulëta, ku jetojnë gati 700 milion njerëz dhe është shqetësuese.

Nën një skenarë të emetimeve të larta, madje edhe metropolet e pasura si Nju Jorku apo Shanghai dhe tokat e mëdha bujqësore tropikale si Mekong do të përballen me rreziqe shumë të larta nga ngritja e nivelit të detit.

 

Përgatiti-Senad Durguti