Nga e premtja lejohet dorëzimi i rrobave për të burgosurit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar opinionin dhe familjarët e të burgosurve, se nga dita e premte do të fillojnë me hapat e parë të lehtësimit të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 në institucionet korrektuese.

“SHKK nga data 08.05.2020 do të filloi me pranimin e rrobave për të burgosurit, rrobat mund të dërgohen nga një familjar i të burgosurit ose për mes postes. Shërbimi Korrektues i Kosoves ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësor të Burgjeve”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shtuar se do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik dhe familjarët e të burgosurve  rreth hapave në vazhdim.

Në vend nga 13 marsi deri më tani në Kosovë janë regjistruar 856 raste me coronavirus, 490 të shëruar dhe 26 viktima.