Nesrete Kumnova dhe Igballe Rogova; Fotografi: RrGK

Nesrete Kumnova dhe Igballe Rogova protestojnë para Qeverisë për shkarkimin e Driton Selmanajt

Nesrete Kumnova, kyetare e organizatës “Thirrjet e Nënave” dhe Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova me pankartat “Selmanaj ik” në duar, kanë protestuar në heshtje sot për gjysmë ore, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Të dy aktivistet po kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

“Nëse kjo temë është e konsumuar për Selmanajn, për mua nuk është. Ky është mëkati më i madh që ka bërë Selmanaj, prandaj po kërkojmë largimin e tij”, ka thënë Kumnova, shkruan Rrjeti  i Grave të Kosovës.

Rogova ka një javë që po proteston në të njëjtën formë para objektit të Qeverisë.

Në këtë letër drejtuar kryeministrit, Rrjeti i Grave ka përmendur kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të personave të pagjetur, drejtuar qeverisë së Kosovës, që nga mbarimi i luftës.

“Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën. Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta”, thuhet në letrën drejtuar Hotit.

Rogova përmes kësaj letre kishte bërë ditur se do të protestojë çdo ditë nga ora 12:00, para qeverisë së Kosovës, derisa Driton Selmanaj të shkarkohet.

“Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë”, thuhet në fund të letrës së Rrjetit të Grave, drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti.

Gjatë debateve të interpelancës së kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ku diskutohej çështja “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, u tha deputetëve se po bëjnë politikë mbi kufoma dhe “jemi lodhur nga këto gjëra”.

Kjo deklaratë e tij u pasua me akuza të shumta edhe nga shoqëria civile, të cilët si përfaqësues të këtyre familjeve me viktima dhe të pagjetur po konsiderojnë që Selmanaj nuk e ka vendin në Qeverinë e Kosovës.