Igballe Rogova e quan të “gërditshme” pjesëmarrjen vetëm të burrave në dialog

Igballe Rogova aktiviste dhe drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se pjesëmarrja vetëm e burrave në delegacionin për dialogun Kosovë-Serbi është “e gërditshme”.

Po ashtu, Rogova shtoi se kuota gjinore e kërkuar për pjesëmarrje në Parlament ka ndihmuar shumë në përfshirjen e grave aty.

“Jam shumë e habitur me ‘garniturën’ e ekipit tonë, kjo do të ndodhte edhe në Parlament po të mos e kishim kërkuar kuotën.Institucionet po e shkelin Ligjin për Barazi Gjinore. A nuk jeni gërdit prej asaj fotografie me krejt burra të ekipit negociator, nuk e kanë marrë Dhuratën, të vetmen ministre, e cila udhëheq edhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane”, tha Rogova.

Ky diskutim i organizuar për shënimin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për Ditën Globale të Kosovës u mbajt në Prishtinë.

Debati, i cili mbulon një sërë çështjesh lokale, rajonale dhe globale, mblodhi rreth 200 pjesëmarrës, duke përfshirë ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, udhëheqës të shoqërisë civile dhe politikanë për të diskutuar rolin e grave në pozita udhëheqëse, duke u angazhuar në debatin mbi reformën ligjore në Kosovë drejt drejtimit barazisë gjinore.

Dita e Hapur Globale e Kombeve të Bashkuara, e organizuar nga OKB dhe Zyra e BE-së në Kosovë, ofron një platformë ku zërat e grave mund të dëgjohen dhe ofrojnë mundësi për të rishikuar zbatimin e Rezolutës 1325, e cila implikon vendet për të përfshirë gratë në të gjitha nivelet vendimmarrëse.