Protesta e Igballe Rogovës; Fotografi: RrGk

Vazhdon protesta e Igballe Rogovës për shkarkimin e Driton Selmanajt

Është e treta ditë me radhë që Drejtoresja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova në mënyrë paqësore po proteston para Qeverisë  për ta shkarkuar zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj.

Rogova me një pankartë ku shkruan “IK Driton Selmanaj”  në heshtje po kërkon shkarkimin e Selmanajt, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

RrGK-ja i kishte dërguar letër kryeministrit Avdullah Hoti dhe i është bashkëngjitur thirrjes për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt, duke përfshirë  që tashmë kanë nënshkruar peticionin online.

“Derisa zërat tanë të dëgjohen!” ka shkruar RrGk-ja në Facebok.

Rogova edhe dje kishte protestuar në të njëjtën formë para objektit të Qeverisë.

Në këtë letër drejtuar kryeministrit, Rrjeti i Grave ka përmendur kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të personave të pagjetur, drejtuar qeverisë së Kosovës, që nga mbarimi i luftës.

“Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën. Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta”, thuhet në letrën drejtuar Hotit.

Rogova përmes kësaj letre kishte bërë ditur se do të protestojë çdo ditë nga ora 12:00, para qeverisë së Kosovës, derisa Driton Selmanaj të shkarkohet.

“Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë”, thuhet në fund të letrës së Rrjetit të Grave, drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti.

Gjatë debateve të interpelancës së kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ku diskutohej çështja “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, u tha deputetëve se po bëjnë politikë mbi kufoma dhe “jemi lodhur nga këto gjëra”.

Kjo deklaratë e tij u pasua me akuza të shumta edhe nga shoqëria civile, të cilët si përfaqësues të këtyre familjeve me viktima dhe të pagjetur po konsiderojnë që Selmanaj nuk e ka vendin në Qeverinë e Kosovës