Nga nesër nis xhiroja ballkanike e shfaqje transatlantike, ‘Balkan Bordello’

Shfaqja transatlantike, “Balkan Bordello” do të nisë nesër turneun e saj në teatrot ballkanik. Së pari ajo do të prezantohet në Kosovë, në kuadër të festivalit, “‘Kosovo Theatre Showcase”, i cili hapet sot në mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Balkan Bordello”, me tekst të Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Nezirjat, është projekt teatror transatlantik i realizuar nga Teatri “La MaMa Experimental Club” në Nju Jork (SHBA) në bashkëpunim me Qendra Multimedia në Prishtinë, “My Balkans” nga Nju Jorku – Beograd dhe Teatri  “Atelje 212” i Beogradit.

Sipas programit, kjo shfaqje do të jepet nesër në Teatrin “Oda” në Prishtinë, pasnesër, më 4 nëntor në Teatrin e Gjilanit dhe më 5 nëntor në Teatrin “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

Pas Prishtinës shfaqja do të udhëtojë në Tiranë, ku më 6 nëntor shfaqet në Teatri Kombëtar Experimental. Ndërkaq më  8 dhe 9 nëntor 2021 “Balkan Bordello” do të jepet në Teatrin “Atelje 212” në Beograd në Serbi. Për t`u rikthyer përsëri më 11 dhe 12 nëntor në Teatrin “Oda” në Prishtinë.

E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, “Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase) është dramë për shoqëritë e traumatizuara. Kjo dramë na ballafaqon me luftën si makineritë shkatërruese ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore.