Në Shri Lankë shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Kryeministri i Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Ai është emëruar ushtrues detyre i presidentit, sipas kryetarit të parlamentit, pasi presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit jashtë zyrës së kryeministrit.

Një shtetrrethim është vendosur në Provincën Perëndimore, e cila përfshin kryeqytetin, Colombo.

Presidenti Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi me një avion ushtarak – thuhet se shoqërohej nga gruaja e tij – disa ditë pasi demonstruesit e pushtuan rezidencën e tij.

Ai ishte zotuar të largohej të mërkurën mes protestave masive për krizën më të keqe ekonomike të ishullit në dekada.

Për muaj të tërë njerëzit janë përballur me ndërprerjet e përditshme të energjisë dhe mungesat e gjërave bazë si karburanti, ushqimi dhe ilaçet.

Mijëra protestues kanë dalë në rrugë të zemëruar javët e fundit, dhe shumica prej tyre e kanë fajësuar familjen Rajapaksa dhe qeverinë e tyre për situatën./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala