Presidenti i Shri Lankës largohet nga shteti

Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, është larguar nga shteti pas protestave masive mbi krizën ekonomike në këtë ishull.

Rajapaksa u largua me avion ushtarak, duke i dhënë fund dinastisë së familjes së tij, që ka udhëhequr me shtetin për dekada të tëra.

Ende është e paqartë se drejt cilit shtet është larguar ai.

Ai ishte duke u fshehur nga turmat e protestuesve, të cilët hynë në rezidencën e tij të dielën.

Vëllai i tij, ish-ministri i Financave, Basil Rajapaksa, po ashtu është larguar nga vendi, raporton BBC duke u thirrur në burime.

Vëllai më i vogël i presidentit Gotabaya Rajapaksa para një dite iu ndalua që të largohej nga vendi, por tani raportohet se ai është nisur drejt Shteteve të Bashkuara.

Qytetarët e Shri Lankës fajësojnë administratën e presidentit Rajapaksa për krizën më të keqe ekonomike që shteti po përjeton në dekada.

Për muaj të tërë, banorët e këtij shteti po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesë të gjërave elementare sikurse ushqimi, ilaçet dhe karburantet.

Lideri autoritar, i cili ka imunitet nga ndjekja penale për aq kohë sa është president, besohet se ka dashur të largohet nga vendi para se të japë dorëheqje, me qëllim që të shmangë arrestimin nga administrata e re.

Protestuesit në Shri Lankë, që gjatë fundjavës hynë në pallatin presidencial dhe dogjën shtëpinë e kryeministrit, kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit dhe kryeministrit./REL