Në Prizren po trajtohen 18 pacientë me COVID-19, Spitali ka nevojë për respiratorë

Spitali Regjional i Prizrenit ka nevojë për respiratorë në kohën kur po trajton 18 pacientë pozitivë me COVID-19 dhe shumë të tjerë në pritje të rezultateve.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka treguar se në Prizren janë 93 raste aktive me coronavirus.

Sipas publikimit të Haskukës, në Spitalin Regjional në Prizren janë hospitalizuar 44 pacientë, 18 prej të cilëve janë pozitivë, kurse 26 të tjerë me simptoma, duke i pritur rezultatet.

Sipas njoftimit, Haskuka është njoftuar nga drejtori i Spitalit Regjional se ky institucion ka nevojë për shtimin e numrit të shtretërve me respiratorë dhe oksigjenoterapi.

“Gjatë takimit z. Aliu njoftoi se duke filluar nga ora 21:00, së bashku me inspektorët komunalë do të jenë në krye të detyrës për implementimin e masave, duke kushtuar rëndësi sidomos grumbullimeve në pika të ndryshme, si sheshe dhe qendra tregtare. Drejtori i QRSHP-së, z. Kryeziu bëri të ditur se aktualisht janë 93 raste aktive të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Prizrenit, kurse ai i Spitalit Rajonal, z. Avdaj njoftoi se aktualisht në spital janë të hospitalizuar 44 pacientë, 18 prej të cilëve janë pozitivë, kurse 26 të tjerë me simptoma, duke i pritur rezultatet. Ai theksoi nevojën e shtimit të shtretërve, si dhe të krijimit të hapësirave të pajisura me oksigjenoterapi dhe respiratorë”, ka shkruar Haskuka.

Ai është takuar me drejtorin e Policisë Rajonale në Prizren, Faton Aliu, drejtorin e Spitalit Rajonal, Afrim Avdaj, drejtorin e QRSHP-së, Fadil Kryeziu, si dhe drejtorin e QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj.