Foto: ZKM

Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kurti priti në takim ambasadorin William Walker

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim miqësor, ambasadorin William Walker, në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Kurti e ka falënderuar Walkerin për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reҫak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi ata rikujtuan vitet 1998 dhe 1999, kur ambasadori William Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosra dhe për të respektuar armëpushimin.

Ndërsa, Walker ka thënë se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë.

“Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës”- njofton Zyra e Kryeministrit.

Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, Kurti ka ritheksuar mirënjohjen ndaj Ambasadorit Walker, për rolin e tij korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në komunën e Shtimes.

Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.