Në pikën kufitare të Vërmicës parandalohet një rast i kontrabandës me duhan

Dogana e Kosovës njofton se ka zbuluar një rast të tentimit të kontrabandës me duhan në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve rutinore zyrtarët e Doganës kanë ndaluar dhe për kontroll rutinor një automjet me targa të Republikës së Shqipërisë dhe pas pyetjes së zyrtarit doganor në lidhje me deklarimin e mundshëm, drejtuesi i automjetit është përgjigjur negativisht.

Më pas, ai është selektuar për një kontrol më të thelluar nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Dogana thotë se nga kontrolli është zbuluar mall i padeklaruar, respektivisht duhan i papërpunuar me një peshë prej 145.00 Kg, i ndarë në 290 paketa, çdo paketë me peshë 0.50 Kg.

“Si rezultat, është konstatuar kundërvajtje Doganore për shkelje të nenit 250 të KDAK-ës”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë bëhet e ditur se, mallrat janë konfiskuar derisa procedura kundërvajtëse ka filluar për personin përgjegjës.

Dogana e Kosovës thekson se ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.