Ndërpritet vaksinimi i fëmijëve për shkak të coronavirusit

Ashtu siç janë ndërprerë pothuajse të gjitha aktivitetet me shpalljen e gjendjes emergjente publike tash e 10 ditë për shkak të coronavirusit, edhe vaksinimi i fëmijëve është ndërprerë. Përjashtim bën komuna e Drenasit, e cila po vazhdon të bëjë vaksinimin e fëmijëve.

10 komuna e kanë konfirmuar për KALLXO.com se e kanë ndërprerë vaksinimin për fëmijët, me përjashtim të foshnjeve të porsalindura.

Prizreni, Prishtina, Peja, Hani i Elezit, Gjilani, Obiliqi, Shtimja, Malisheva dhe Gjakova kanë pezulluar deri në një afat të pacaktuar vaksinimin e fëmijëve. Mirëpo, Drenasi po vazhdon të vaksinojë fëmijët të cilët i kanë kartelat.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Shëndetësisë në Drenas, Arsim Haxhiu.

“Po bëhet vaksinimi i rregullt i fëmijëve që kanë kartelë të vaksinimit, por çdo herë me rekomandimin për t’i ikur tollovisë, por paraprakisht lajmërojnë në numrin e telefonit të vaksinimit dhe ata ia përcaktojnë një orë, kur me ardhë gjatë ditës me u vaksinu”, tha Haxhiu.

Pezullimi i vaksinimit nuk vlen për fëmijët e porsalindur, thonë drejtorët e Shëndetësisë në këto komuna.

Tutje, komunat tjera kanë anuluar vaksinimin deri sa Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë do përcaktojë një datë. Arsyeja e pezullimit është shmangia e përhapjes së coronavirusit.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, për KALLXO.com tha se pezullimi i vaksinimit të fëmijëve nuk është problem, sepse afati i tyre është deri 6 muaj.

“Po, është e vërtetë, në përjashtim të fëmijëve të porsalindur, të tjerat janë pezulluar për një afat të pacaktuar, por nuk është problem sepse vaksinat e kanë periudhën kur duhet me marrë, mirëpo është periudhë brenda 6 muajve, nuk është vaksinë fikse”, u shpreh Shehu.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi ka thënë se është ndërprerë dhënia e vaksinave përveç atyre që janë emergjente.

“Jo, me urdhëresë të IKShPK-së gjitha llojet e vaksinimit, përveç vaksinave të lëndimeve të cilat janë obligative të tjerat janë ndërprerë, përveç atyre që janë të domosdoshme pas lindjes dhe lëndimet -plagët që janë emergjente”, tha ai.

Kurse drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci ka deklaruar për KALLXO.com se kanë marrë urdhër nga IKShPK që të shtyhet edhe për dy javë vaksinimi.

“Është urdhër nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të shtyhet për dy javë kampanja e vaksinimit, për shkak se vaksinimi është program që menaxhohet nga IKShP”, tha Loci.

Ndërsa, në Han të Elezit, drejtoresha e Shëndetësisë, Medina Imishti, shtoi se tashmë një javë është ndërprerë vaksinimi sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ka një javë që e kem ndërpre vaksinimin për shkak se ministri na ka thënë që me ndërpre”, potencoi ajo.

Ndryshe nga Komuna e Hanit të Elezit, Komuna e Gjilanit rekomandimet për mosvaksinim e ka marrë nga IKShPK.

“Jo, aq sa kam unë informata jo. Derisa të kalojë periudha e virusit, është rekomandim i IKShPK që të ndërpritet vaksinimi i fëmijëve”, tha thënë për KALLXO.com drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemajli.

Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Obiliqit, Vlora Kabashi, ka thënë se shtyrja e vaksinimit për një afat dy apo tre muaj nuk paraqet problem.

“Vaksinimi është ndërprerë, Instituti ka thënë me ndërpre vaksinimin dhe e kemi ndërprerë, sepse nuk paraqet ndonjë problem nëse shtyhet për nje afat kohor të caktuar një muaj apo dy muaj”, tha Kabashi.

Të njëjtin vendim e kanë marrë edhe Komuna e Shtimes, Malishevës dhe Gjakovës.

KALLXO.com është munduar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKShPK- në në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.