Seanca dëgjimore ndaj Agron Gashit, të dyshuarit për vrasjen e rëndë në tentativë në Pejë, Foto: KALLXO.com

Ndërpritet për disa orë seanca dëgjimore ndaj të dyshuarit për vrasjen e rëndë në tentativë që ndodhi në Pejë

Seanca dëgjimore në Gjykatën e Pejës ndaj Agron Gashit, të dyshuarit për vrasjen e rёndё nё tentativë që ndodhi në Pejë, më 22.05.2024, në të cilën mbetën të plagosur tre persona, është ndërprerë. Seanca pritet të vazhdojë në ora 20:00.

Seancën e ka ndërprerë gjyqtari i procedurës paraprake, Shaqë Curri, pasi që mbrojtja nuk mund të deklarohej pa marrjen e provave nga Prokuroria.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës po kërkon caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin për shkak të dyshimit se ka kryer vrasjen e rёndё nё tentativë e cila ndodhi më 22.05.2024 në Pejë.

21-vjeçari ishte arrestuar në mesditën e datës 23.05.2024, nën dyshimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, kurse sipas dosjes për shkak të gjendjes së të dëmtuarit janë në rrezik për jetë kualifikimi ligjor ndaj tij mund të ndryshojë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, bashkë më Agron Gashin është e përfshirë edhe Liridona Gashi.

Ajo dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe ndaj saj prokuroria ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

Sipas dosjes, i dyshuari e kishte telefonuar të dyshuarën dhe e njëjta e kishte dërguar të dyshuarin në fshatin Qyshk, por kishte deklaruar se nuk e ka ditur se çfarë kishte bërë i dyshuari, vetëm kishte menduar se ishte rrahur me dikë.

Agron Gashi sipas dosjes së policisë është i dyshuar për 23 raste të ndryshme penale, kurse nga të dhënat e prokurorisë ka 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale si dhe janë duke u zhvilluar hetime edhe për dy vepra tjera penale.

Sipas prokurorisë janë përmbushur kushtet e caktimit të paraburgimit të cilat janë rreziku nga arratisja; rreziku për të ndikuar në dëshmitarë dhe asgjësim të provave si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Për KALLXO.com kjo Prokurori kishte dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të këtij të dyshuari duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kansoje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkelur një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestuar, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në atë periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“ – kishte thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Përveç dyshimit për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për armëmbajtje pa leje.

I njëjti kur është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar të flasë duke u mbrojtur në heshtje.

Kjo për KALLXO.com ishte konfirmuar nga prokurori Ersan Qavolli.

Lidhur me motivet e ngjarjes, nga prokuroria është vlerësuar se nuk mund të flasin në këtë fazë të hetimeve.