Foto: Kallxo.com

Ndalohen tetë persona lidhur me rastin e vrasjes në Hallaq të Lipjanit

Tetë persona janë ndaluar në lidhje me vrasjen e cila ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka ndaluar tetë persona të përfshirë në rastin e vrasjes në Hallaq të Madh në Lipjan, me dyshimin se njëri prej tyre ka kryer vrasje, majtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, një person i dyshuar për veprat penale vrasje në tentativë, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, katër persona të dyshuar për veprat penale ndihmë dhe pjesëmarrja në rrahje, si dhe dy persona të dyshuar për veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Sipas prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit në fshatin Hallaqi i Madh të komunës së Lipjanit, pas një përleshjeje me armë zjarri.

Si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dy familjeve, një person ka vdekur duke mos mundur t’i mbijetoj plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërsa pesë persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, bashkë me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për obduskion për trupin e pajetë.​

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për vrasjen në Hallaq të Lipjanit.

Vrasja e plagosja në Lipjan ndodhën “për motive familjare” (VIDEO)